Kurti për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore nga Serbia: Do ta bëjmë dokumentimin zyrtar

Është mbajtur takimi i parë konstituiv i Komisionit Shtetëror për Dokumentimin e Shkatërrimit të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës gjatë luftës 98/99. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se themelimi i këtij komisioni ka rëndësi të madhe në dokumentimin zyrtar shtetëror të vlerave që janë dëmtuar. Kështu sipas tij, do të hapet rruga për drejtësi dhe kompensim të dëmit të shkaktuar.

Ai theksoi se trashëgimia kulturore është ndër burimet më të fuqishme të identitetit kulturor. Veç tjerash, theksoi se gjatë luftës 98-99, Kosova ka përjetuar humbjen më fatale të trashëgimisë së vendit.

“Shkatërrimi masiv në zonat urbane dhe rurale, rezultoi me humbje dhe dëmtim serioz të ndërtesave tradicionale, pjesë e trashëgimisë kulturore ku qindra xhami dhe objekte të besimit islam, qendra historike, kulla, ndërsa tracionale, biblioteka, arkiva, muze janë shkatërruar. Trashëgimia ndërtimore nuk ishte kategori e vetme e shkatërruar, por gjatë periudhës Kosovës dhe dokumente origjinale arkivore janë marrë dhe vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi. Në gjykimet e Tribunalit të Hagës, shkatërrimi i qindra monumenteve të Kosovës gjatë luftës është cilësuar si krim kundër njerëzimit. Tribunali ka dënuar gjashtë zyrtar të ushtrisë serbe për një fushatë dhune masive dhe shkatërrimin e xhamive dhe objekteve tjera fetare”, u shpreh ai.

Sipas tij, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore nga forcat e armatosura ka mbetur i heshtur nga institucionet e Kosovës.


“Fatkeqësisht, shkatërrimi i trashëgimisë sonë kulturore nga forcat e armatosura serbe, ka mbetur disi i heshtur dhe i harruar nga institucionet e Republikës së Kosovës. Pas afro 23 vitesh, për herë të parë kemi vendosur një hap drejt kërkesës sonë për drejtësi për dëmtimet e qëllimshme dhe humbjet në vlerat e trashëgimisë sonë kulturore…Themelimi i komisionit shtetëror për dokumentim të trashëgimisë kulturore të shkatërruar nga forcat e armatosura serbe gjatë luftës 1998-1999 ka një rëndësi madhore. Do të bëjmë dokumentimin zyrtar shtetëror të vlerave që janë dëmtuar, për t’i hapur rrugë kërkesës sonë për drejtësi dhe kompensim të dëmit të shkaktuar”, ka shtuar Kurti.

Ai ka shtuar se gjatë punës së komisionit do të merren parasysh të gjitha dokumentimet dhe se me kontributin e të gjithëve ai u shpreh i bindur se rezultatet do të jenë afirmative.

Edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka përmendur shkatërrimet e qëllimshme të monumenteve kulturore nga Serbia. Më tej ka folur për qëllimin e themelimit të këtij komisioni.


“Për herë të parë kemi ndërmarrë nisma për të kërkuar drejtësi për vlerat e shkatërruara. Shkatërrimi i qindra monumenteve të Kosovës gjatë luftës është cilësuar si krim kundër njerëzimit. Gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për të sulmuar identitetin kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Ky komision është themeluar me qëllim të përmbushjes së një detyre jetike dhe shumë të rëndësishme me qëllim të realizimit të plot dhe në mënyrë shteruese të detyrës për hulumtim, regjistrim, vlerësim dhe dokumentim të trashëgimisë kulturore të shkatërruara gjatë viteve 98/99”,
ka thënë ai.

Dy muaj më parë, Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin Shtetëror për Dokumentimin e Shkatërrimit të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës gjatë luftës 98/99. Në kuadër të këtij komisioni janë profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare.

Lexo edhe

Video