Kurti për bashkëjetesën mes gjinisë së njëjtë: Gjithsecili është krijesë e Zotit dhe e natyrës

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kodi Civil nuk rregullon martesat ndërmjet personave me gjini të njëjtë, por mundëson vetëm bashkëjetesën.

Ai në seancën plenare ku po shqyrtohet projekt-kodi civil, theksoi se të drejtat e njeriut janë të të gjithë njerëzve dhe njëjtë e thotë edhe Kushtetuta dhe se votimi i Kodit Civil është një ngjarje e veçantë për Kosovën dhe Kuvendin.

“Është një pikë me rëndësi për të cilën ka pasur keqkuptime e keqinterpretime. E kjo është regjistrimi i bashkësive civile të personave me seks të njëjtë. Në fund të fundit të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve të secilit njeri, të secilit person, sepse gjithsecili është krijesë e Zotit dhe e natyrës. Këtë e thotë edhe Kushtetuta jonë dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Te regjistrimi i bashkësive të personave me sekse të njëjta, në nenin 1,138 është paraparë mundësia që këta persona të mund të regjistrohen si bashkësi civile. Kodi nuk e ka rregulluar, kushtet dhe procedurën për këtë institut të ri, por vetëm në mënyrë afirmative ka përcaktuar që në të ardhmen do të rregullohet me ligj të veçantë”, ka thënë Kurti.


Sa i përket kësaj, Kurti shtoi se kodi civil nuk është i mjaftueshëm dhe kjo është në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, e cila nuk lejon asnjë lloj diskriminimi.

“Kodi nuk rregullon martesat ndërmjet personave me seks të njëjtë. Kjo dallon me bashkësinë e regjistruar civile ngase kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera të funksionit familjar”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti tha se Kodi Civil ka gjithsej pesë libra, me 1630 nene ku në të gjitha këto ka të reja substanciale.

Lexo edhe

Video