Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka folur për procesin e dialogut me Serbinë, ka deklaruar se ka bërë maksimumin për të përmirësuar situatën dhe sipas tij ia kanë dalur të sigurojnë më shumë hapësirë për ecjen përpara. Ai ka thënë se është bërë plotësisht e qartë nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian dhe partnerët amerikan, se Kosova nuk do të rëndohet me kurrfarë shtrese tjetër të autoritetit ndërmjet komunave dhe qeverisë.
Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të ketë largim nga kufizimet e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
“U bë plotësisht e qartë nga lehtësuesi apo ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian dhe nga partnerët tanë amerikan se Kosova nuk do të rëndohet me kurrfarë shtrese tjetër të autoritetit ndërmjet komunave dhe Qeverisë së Kosovës, dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të largohet nga kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese dhe kjo është bërë edhe gjatë procesit të dialogut, edhe në deklarimet publike”, ka thënë Kurti
Kryeministri i vendit ka thënë se zbatimet parashikohen të jenë me hapa të përbashkët ku të dyja palët do të duhet të shkojnë hap pas hapi.
Ai ka theksuar se nuk mund të ketë zbatime të njëanshme të marrëveshjes, ashtu siç nuk mund të ketë as nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes.