Kurti në Strasburg: Marrëveshja bazë Kosovë-Serbi avancon marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit të sotëm në takimin e Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në tha se Kosova në dialog me Serbinë mbetet e përkushtuar, konstruktive dhe kreative.

Kryeministri tha se marrëveshja bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën avancim të marrëdhënieve dy vendeve.

“Sa i përket dialogut me Serbinë ne jemi të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ. Ne besojmë se marrëveshja bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”, tha ai.


Kurti foli edhe për drejtat e pakicave në Kosovë, me ç’rast, tha se Kushtetuta e Kosovës ofron kornizën e duhur për respektimin e të drejtave të pakicave.

Gjatë fjalimit, kryeministri i Kosovës foli edhe për liberalizimin e vizave, me ç’rast, tha se PE ka qenë zë mbështetës në këtë drejtim.

Kurti tha se shpresojnë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në Evropë deri më 1 janar 2024.

Ndër të tjera, kryeministri Albin Kurti nënvizoi se mbështetjen që ka pasur Kosova nga Parlamenti Evropian i paraprin pavarësisë së vendit. Ai shtoi se njohja për luftën për të drejtat e njeriut që Kosova ka marrë pikërisht nga Parlamenti Evropian, ka qenë një shtyllë e rëndësishme në historinë e suksesit të vendit./KosovaPress

Lexo edhe

Video