Kurti në Athinë: Ballkani Perëndimor ka nevojë për Procesin e Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është përfshirja në Bashkimin Evropian. Por, deri të arrihet integrimi evropian, kreu qeveritar tha se është i nevojshëm Procesi i Berlinit. Në Athinë të Greqisë, Kurti tha se vetëm me presidentin Biden në ShBA dhe kancelarin Scholz në Gjermani, mund të krijohet ura transatlantike, që sipas tij në shekullin 21 është më e rëndësishme se që ka qenë më përpara.

Në ditën e parë të tryezës së rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë dhe The Economist, Kurti, diskutoi në panelin me pjesëmarrës të tjerë për temën “Evropa Juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”.

Ai tha se Procesi i Berlinit 2.0 mund të sjellë një lëvizje të të gjitha forcave në Ballkanin Perëndimor, me një iniciativë dhe program të EFTA, ngjashëm me atë që kanë Lihtenshtajni dhe Norvegjia në kuadër të BE-së.

“Zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është Bashkimi Evropian, por deri të shkojmë aty, neve na nevojitet Procesi i Berlinit, një rifreskim i procesit në krye me kancelarin Scholz, besoj në lidershipin e tij. Besoj se me presidentin Biden në Shtëpi të Bardhë dhe kancelarin Scholz në Berlin, mundemi të krijojmë një urë transatlantike që në shekullin 21 është më i rëndësishëm se sa ka qenë… Bashkimi ynë në BE duhet të jetë si vlerë dhe mekanizëm, në bazë të mekanizmave të mbikëqyrjes e vëzhgimit, jo të mbesim jashtë BE-së. Besoj që BE duhet të rritet përbrenda saj dhe ne kemi nevojë nga jashtë, por ne duhet të nxjerrim në pah përbrenda vlerat e BE-së duke zhvilluar reforma demokratike gjithmonë si prioritet karshi stabilitetit politik. Reforma demokratike kundrejt stabilitetit politik për të siguruar se nuk do të kemi një shthurje”, ka theksuar kryeministri Kurti.


Ai tha se pas agresionit rus në Ukrainë, nuk duhet të ketë neutralitet, andaj kritikoi Serbinë për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Kemi një rrethanë fatkeqe në Ballkanin Perëndimor, ku njëra prej shteteve, fqinji ynë Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, dhe ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë, kur flasim për ekonominë, ushtrinë dhe kulturën”, tha ai.

Kurti para të pranishmëve tha se Kosova tanimë është sukses i dyfishë, suksesi i parë sipas tij është ndërhyrja perëndimore dhe e NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb. Suksesi i dytë, Kurti tha se është rritja ekonomike dhe demokracia cilësore.

“Republika e Kosovës është një sukses i dyfishtë: së pari, sukses i ndërhyrjes perëndimore dhe NATO-s në vitin 1999 për të ndaluar gjenocidin serb, dhe në këtë mënyrë për t’u mundësuar refugjatëve kthimin dhe rindërtimin e shtetit tonë. Dhe së dyti, është një tregim suksesi për sa i përket rritjes ekonomike dhe demokracisë cilësore, që funksionojnë krah për krah”, tha kryeministri Kurti.

Duke theksuar se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrin, kryeministri theksoi synimet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku këtë vit, tha se do të aplikojnë për statusin e vendit kandidat. Ai tha se shpreson që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të merret në konsideratë së shpejti, gjë që do t’u mundësonte qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Lexo edhe

Video