Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka nderuar vëllezërit Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, në 25-vjetorin e vrasjes së tyre nga Serbia.
Ai me këtë rast ka thënë se mos ndëshkimi dhe dhimbja për krimet e Serbisë në Kosovë ende po vazhdojnë.
“Thirrjet tona bashkë me ato të shtetit amerikan, kanë qenë pareshtur të zëshme në kërkim të vendosjes së drejtësisë dhe zbardhjes së krimit. Në Nju Jork, vizituam varrezat e tyre, aty ku kujtimi për ta, është rikujtim për drejtësinë që ende mungon”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi u vranë nga aparati shtetëror gjenocidal serb në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Trupat e tyre u zbuluan dy vjet më vonë, në një varrezë masive në Petrovo Sello në Serbi, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.