Kurti merr letër falënderimi nga von der Leyen e Trudeau për përkrahjen ndaj Ukrainës

Kurti merr letër falënderimi nga von der Leyen e Trudeau për përkrahjen ndaj Ukrainës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pranuar një letër falënderimi nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, për përfshirjen në aktivitetin e zotimit për ndihmë Ukrainës.

​Duam t’ju falënderojmë ngrohtësisht për kontributin në aktivitetin e zotimit “Stand up for Ukraine”, më 9 prill 2022, kanë shkruar në letër von der Leyen dhe Trudeau.

Ata kanë njoftuar se nga ky aktivitet janë mbledhur 9.1 miliardë euro për njerëzit që po ikin nga invazioni i Rusisë, dhe po kërkojnë strehim në Ukrainë dhe jashtë saj. Kjo shumë e mbledhur do të ndihmojë në mbulimin e nevojave të refugjatëve në shtetet fqinje, si edhe për sigurimin e përkrahjes humanitare për të zhvendosurit brenda Ukrainës.


Përveç furnizimit me burimet aq shumë të nevojshme për njerëzit e prekur nga invazioni, pjesëmarrja e 40 qeverive dhe institucioneve, ashtu si edhe sektorit privat dhe shoqërisë civile, ka dërguar edhe mesazhin e unitetit dhe solidaritetit me Ukrainën, thuhet më tej në letër.

Meqenëse konfliktit nuk po i shihet fundi, von der Leyen dhe Trudeau kanë thënë se duhet të vazhdohet me përkrahjen për popullin ukrainas dhe kanë shprehur shpresën që mobilizimi i fortë i solidaritetit global me Ukrainën dhe popullin e saj do të vazhdojë.

Ndryshe, kryeministri Kurti i ishte bashkuar aktivitetit “Stand up for Ukraine”, së bashku me liderë nga vende të ndryshme të botës, të cilët nëpërmjet video-incizimeve kanë shprehur përkrahjen dhe solidaritetin e vendeve të tyre me popullin e Ukrainës.

Duke e dënuar invazionin dhe agresionin rus, Kurti ka dërguar porosinë për gatishmërinë e Kosovës për pranimin e 5000 refugjatëve ukrainas, ndarjen e fondeve të ndihmës humanitare, si edhe fondin e posaçëm për strehim dhe akomodim për punë të 20 gazetarëve nga Ukraina. Një gazetare ukrainase tashmë ka arritur dhe po vazhdon misionin e gazetarisë nga Kosova.    

Lexo edhe

Video