Kurti me politikën e tij të mbrapshtë po e çon vendin drejt kolapsit

Kurti me politikën e tij të mbrapshtë po e çon vendin drejt kolapsit

Edhe pse kanë kaluar rreth 23 vite nga çlirimi i Kosovës prej okupimit serb, ajo po ngec shumë në zhvillimin e saj në shumë fusha siç janë ato të zhvillimit ekonomik, social, kulturor, të njohjeve ndërkombëtare, etj. Vendi i jonë po përballet me ikjen e të rinjve dhe të profesionistëve të fushave të ndryshme, të cilët shteti po i përgatit si kuadro dhe ato në mungesë të një të ardhme më të mirë, po ikin nga vendi dhe po gjejnë punë në botën e jashtme. Pra shtetet e Evropës dhe Amerikës po i marrin këto kuadro të gatshme dhe po i shfrytëzojnë për nevojat e tyre.

  Arsyet që vendi i jonë gjendet në këtë pozitë janë të shumta, por më kryesoret është ajo se ne ende nuk e kemi të zgjidhur çështjen kombëtare. Pra siç dihet ne shqiptarët e patëm fatin e zorshëm për shkak se fuqitë e mëdha na ndanë në gjashtë shtete dhe edhe sot vazhdojmë të jemi të ndarë si komb. Kjo do të thotë se ne ende kemi kufij në mes shqiptarëve, çka kjo është e pa kuptimtë dhe e pa pranueshme.

  Deri më tani janë propozuar ide të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por zgjidhja e saj po ecën me hapa tepër të ngadaltë, për shkak të ndaljes së dialogut me Serbinë dhe injorimi i qeverisë aktuale ndaj nismave rajonale, siç është “Open Balkan”, e cila e ka bazën në Berlin të Gjermanisë, ku shtetet e Ballkanit perëndimorë arritën një marrëveshje për të krijuar një treg të përbashkët, e ku do të respektohen katër liritë themelore për qarkullim të mallrave, të njerëzve, ligje unike, respektim të diversitetit, etj. Kjo do t’u mundësojë popujve të Ballkanit perëndimor që të krijojnë një zonë të përbashkët ekonomike, ku do të vlejnë parimet e shteteve anëtare me të gjitha të drejtat e barabarta, në mesin e të cilave do të jetë edhe Kosova dhe do ti realizojë të gjitha të drejtat e veta.

 Por kësaj nisme për të krijuar një treg të përbashkët të Ballkanit Perëndimorë, ku do të hiqen të gjitha pengesat doganore, të bëhet unifikimi i ligjeve të përgjithshme dhe njohja e ndërsjellë e të gjitha dokumenteve, tabelave, diplomave, etj. e cila përbën një përparim të madh në fushën e bashkëpunimit rajonal, pasi edhe Kosova do të jetë në mesin e të barabartëve edhe pse për momentin nuk është e pranuar nga Serbia dhe nga disa shtete të Evropës dhe të Botës, ajo do të pranohet si e barabartë përmes marrëveshjeve që do t’i nënshkruajë si anëtare me të drejta të barabarta në Open Balkan.

  Mirëpo ashtu si qeveritë e mëparshme, e me theks të veçantë Qeveria Kurti e kanë krijuar një komoditet solid në këtë Status Quo, duke u marrë me çështje të brendshme të vendit, shkarkimet e atyre që kanë qenë më parë dhe zëvendësimi i tyre me militantë partiakë të vetë, si dhe me çështjen e pandemisë që e ka kapluar vendin, etj. Këta nuk po duan që të lëvizin nga kjo Status Quo dhe ti bashkohen kësaj nisme të përbashkët për Ballkanin Perëndimor, e cila është krijuar për të arritur disa objektiva që janë cekur më lartë, për faktin se Kurti po e shfrytëzon klasën më të ulët, duke i joshur me deklarata populliste kundër kësaj ideje të bashkëpunimit ekonomik rajonal, me arsyetimin se kjo është një nismë të cilën po e udhëheq Rama me Vuçiçin dhe është me orientim nga Moska e Kina, si dhe është në dëm të Kosovës. Këto deklarata ai po i bënë në mënyrë që të përfitojë sa më shumë vota prej tyre.

 Mirëpo thirrja e BE së që iu bë qeverisë Kurti se deri më 4 tetor kanë afat për ta nënshkruar marrëveshjen për Open Balkan, e cila buron nga vendimet e mbledhjes së Berlinit dhe është obligative për të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor, e që nënkupton se edhe Kosova duhet që t’i bashkohet kësaj nisme, e cila nismë shihet si shpëtimtare e Kosovës për të dalë nga Status Quoja e cila po e çon vendin drejt kolapsit të përgjithshëm, po shihet si paralajmërim i fundit nga SHBA dhe BE, që Kosova të rreshtohet në këtë nismë dhe e demanton Kurtin se kjo është nismë e Moskës dhe e Kinës, por është një nismë e mirëfilltë e shteteve më demokratike në Botë, të cilat vazhdimisht na kanë ndihmuar dhe po na ndihmojnë për të arritur një zhvillim të barabartë me shtetet e tjera në rajon. Natyrisht përveç Kosovës kësaj nisme duhet t’i përgjigjen detyrimisht edhe udhëheqja e Malit të Zi dhe e Bosnjës, pasi në mbledhjen e mbajtur në Berlin këto qeveri morën pjesë dhe nënshkruan një dokument për të formuar bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor, e që më vonë u quajt Open Ballkan. E njëjta u nënshkrua edhe në marrëveshjen e Washingtonit me 4 shtator të vitit të kaluar në mes të delegacionit të Kosovës dhe të atij të Serbisë nën udhëheqjen e presidentit Trump, që këto vende të bëhen pjesë e saj. Kjo marrëveshje më vonë u konfirmua edhe nga administrata e presidentit Biden, se është marrëveshje që është nënshkruar në Washington dhe duhet të implementohet. Ky konfirmim i kësaj marrëveshje nga Washingtoni u bë pas kërkesës së Kurtit, i cili kërkoi që të ç fuqizohet kjo marrëveshje me pretekstin se është në dëm të Kosovës.

 Marrëveshja e Berlinit dhe e Washingtonit shihet si shpëtimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi do të sillte një varg ndryshimesh pozitive te këto vende dhe do të krijojë një mirëqenie për popujt e këtyre vendeve anëtare:

1 Do të krijohet një stabilitet politik në rajon, duke u hequr tensionet e luftës, sidomos në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të krijojë një klimë pa armiqësi në mes popujve dhe bashkëpunim ekonomiko-kulturor.

2 Do të jetë shumë atraktive për investitorët botërorë, të cilët e duan një ambient me klientelë multi milionëshe, e cila është pa pengesa doganore, si dhe infrastrukturë të ndërtuar ligjore, rrugore, hekurudhore, ajrore, ujore, et, ku do të ketë qarkullim të lirë të mallrave dhe të njerëzvej.

3 Do të bëhet integrimi i shqiptarëve në mënyrë ekonomike, sociale e kulturore me shtetin amë Shqipërinë, sepse do të hiqen doganat në mes shqiptarëve dhe kjo ua mundëson që ata të integrohen në mes veti dhe të dalin nga influenca e ekonomisë serbe, e cila po e mbulon aktualisht Kosovën.


4 Kosova automatikisht mund të anëtarësohet në NATO dhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë, pasi nuk do të ketë më pengesa të tjera nga ana e Serbisë, sepse do të bëhen marrëveshje për të mos e penguar njëra tjetrën drejt rrugëtimit për në BE dhe do të funksionojnë si një Union i vetëm, i principit të “Shengenit”

5 Do të bëhet liberalizimi i vizave edhe për vendin tonë, sepse nuk do të ketë më pengesa as nga shtetet evropiane që deri tani nuk e kanë njohur Kosovën. Sepse pas një marrëveshje me Serbinë, e që kjo e nënkupton marrëveshja të gjithë në Open Balkan, nuk do të ketë më pengesa të asnjë natyre për të gjitha vendet që nuk e kanë pranuar Kosovën, as arsye të mos e bëjnë atë.

6 Radhët e pritjeve nëpër kufi, do të ngelen si një kujtim i hidhur i të kaluarës për qytetarët, e sidomos për mërgimtarët të cilët presin me orë të tëra, deri në 13 orë nëpër kufij për të hyrë në vend, apo për t’u kthyer për në vendin e punës në diasporë ku punojnë. Kjo atyre përveç që po u kushton kohë, po u bën harxhime me lekë dhe nervozë të pa falshme, e cila është edhe tejet qesharake dhe e dhimbshme.

7 Populli i Kosovës dhe popujt e tjerë do të kenë lehtësi dhe mirëqenie, pasi aktualisht po i paguajnë çmimet më të shtrenjta dhe po i marrin shërbimet më të dobëta në rajon. Kjo për faktin se njerëzit e politikës i kanë krijuar monopolet e tyre nëpër dogana dhe po e zhvatin popullin e mjerë.

8 Kjo marrëveshje e cila do të krijonte heqjen e doganave për qarkullim të lirë të mallrave dhe njerëzve, do të stimulonte prodhimin vendorë, konkurrencën e shëndoshë dhe exportin e mallrave në rajon, si dhe do të fuqizonte sektorin privat, si garancë për zhvillim të një shoqërie të mirëfilltë.

 Këto janë disa prej benefiteve të cilat i përfitojnë vendet e Ballkanit Perëndimor pas nënshkrimit dhe anëtarësimit të tyre në këtë organizëm, i cili po përkrahet fuqishëm nga SHBA dhe BE, e në mesin e tyre edhe Kosova.

 Mirëpo përkundër thirrjeve të SHBA dhe BE për të respektuar këtë marrëveshje, të gjitha këto po hasin në pengesa, sidomos nga qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kurti. Kjo për faktin se ai nuk po bashkëpunon fare me qeverinë e Shqipërisë, si dhe po e refuzon SHBA në dhe Evropën, në mënyrë që të përfitojë sa më shumë vota te një shtresë, e cila e voton atë. Shtrohet pyetja pse e gjithë kjo ndarje në mes të shqiptarëve, kur ne jemi në momentin më të favorshëm historik për të rregulluar çështjen kombëtare, Bashkimin Kombtar?

 Sipas asaj që e kemi parë deri tani Kryeministri i Kosovës nuk bashkëpunon fare me kryeministrin shqiptar Edi Rama edhe pse Kurtit i është tërhequr vërejtja se adresa e komunikimeve me SHBA dhe me BE është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, përmes të cilit bëhen të gjitha organizimet në rajon (kjo u dëshmua në procesin e Berlinit, ku Rama u emërua udhëheqës i procesit të Open Ballkan). Mirëpo përkundër kësaj ne kemi parë veprime të kundërta dhe shumë destruktive nga Albin Kurti, i cili me fitoren e zgjedhjeve të fundit e filloi një fushatë të egër kundër Edi Ramës me pretekstin se ai po i shet interesat e Kosovës, po bashkëpunon me Vuçiçin në dëm të Kosovës, sidomos me rastin e koncertit të fundit në Korçë, ku këndoi këngëtari me prejardhje kroate Bregoviç, duke e shfrytëzuar si pretekst për ta sulmuar sa më shumë atë, duke e nxitur një ushtri facebokerësh, për ta denigruar sa më shumë atë dhe duke krijuar një ndarje në mes të shqiptarëve, e cila nuk është parë ndonjëherë më parë. Duke e frikësuar popullin shqiptar se një marrëveshje për Open Balkan do të humbë Kosova, pasi Serbia qenka shumëfish më e fortë me ekonomi, e me ushtri, bile ka edhe nga ata që e llogaritin edhe me orë, se çfarë mundësish i paska Serbia për ta okupuar Serbia Kosovën (që nuk mund ta sheh kurrë as në ëndërr, sepse aktualisht populli shqiptar është kombi më i fortë dhe faktor stabiliteti në Ballkan).

 Nga ajo që kemi parë deri tani nga sjelljet e Kurtit, të jep të kuptosh se ky i fundit nuk e ka fort mërzinë e kombit, por prapa veprimeve të tija tinëzare fshihen interesa shumë të ulëta, të cilat përkundrazi shkojnë në dëm të çështjes kombëtare, kjo për faktin se me rastin e fushatës së Kurtit kundër Ramës në Shqipëri, bëri një gabim të madh, që për burrështetas nuk është parë ndonjëherë në histori, që një kryeministër të bëjë fushatë politike kundër një partie në shtetin tjetër, e aq më keq të bëjë fushatë në shtetin amë. Përveç fushatës ku bënte propagandë me moton “për ta çliruar Shqipërinë nga regjimi i Edi Ramës” pa pikë turpi shkoi edhe të votonte në Shqipëri kundër tij, çka kjo e uli këtë në nivelet më të ulëta, si dhe Kosovën, pasi ky ishte përfaqësues i saj. Njejtë pothuajse ka vepruar duke e formuar degën e VV së në Maqedoni, duke dashur që edhe atje ta shtrijë ndikimin e vet. Këto dhe shumë arsye të tjera, të japin të kuptosh se ky ka aspirata të sëmura që të bëhet “babai i kombit” dhe se çdo proces lind me ardhjen e tij si politikan, që ky të udhëheqë me Kombin shqiptar dhe të paraqitet si “shpëtimtar i tij”. Mirëpo shqiptarët në Shqipëri e kuptuan një gjë të tillë dhe i dhanë një dush të ftohtë, duke ia thyer hundët në zgjedhje, siç thotë populli e lanë me gishta në gojë, duke i treguar se janë në nivel të lartë të kulturës dhe edukimit, duke e ditur mirë se çfarë duan dhe i dhanë mandatin e tretë Edi Ramës, me një fitore spektakolare, shumicë absolute.

 Këto ambicie të sëmura të tij po e bllokojnë të ardhmen e vendit dhe po e çojnë vendin drejt kolapsit, pasi në qeverisjen e tij po shohim ngecje të fuqishme në fushën e sundimit të ligjit, (është rritur kriminaliteti), në menaxhimin e pandemisë, në fushën e legjislativit,(katër ligje për gjashtë muaj), në fushën e politikës së jashtme, asnjë delegacion i huaj nuk i kontakton ministrinë për punë të jashtme, si dhe në të gjitha fushat e tjera. Nëpër institucione përveç shkarkimit të bordeve dhe zëvendësimit të tyre me militantë partiak dhe të afërm të vet, nuk ka asnjë përparim. Kriza ekonomike e ka arritur kulmin, çmimet më të shtrenjta në rajon, asnjë politikë zhvillimore, me një fjalë në vend numëro. Por për ti mbuluar këto dështime, gjen kohë për ta ç vendosur vëmendjen tjetërkund, duke e sulmuar Shqipërinë dhe Edi Ramën, se gjoja ata qenkan fajtor për dështimet e Kurtit dhe po mundohet që t’i shmanget anëtarësimit të Kosovës në Open Balkan, duke e dëmtuar të ardhmen e saj dhe duke e quar drejt kolapsit..     

Lexo edhe

Video