Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se po i ikë nënshkrimit të marrëveshjes qëllimisht për të mos e bërë ligjërisht të obligueshme.
Ani pse tha se kanë arritur pajtim publik me palën serbe për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt në Bruksel.
Pas takimeve maratonike në Ohër të shtunën, tha se Bashkimi Evropian duhet të gjejë mekanizma që statusin e marrëveshjes ta bëjë ligjërisht të obligueshme.
“Kemi arritur pajtim publik për një aneks i cili do të udhëzojë zbatimin e një marrëveshje bazë. Pala tjetër, njëjtë sikurse në takimin e kaluar në Bruksel më 27 shkurt po i ikë nënshkrimit të marrëveshjes, tash edhe me aneks. I takon Bashkimit Evropian që të gjejë mekanizmin për ta bërë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, tha ai.
Ai ritheksoi se marrëveshja bazë me Serbinë është njohje e ndërsjellë de-facto.
“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellët de-facto. Kjo është njohje de-facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht ka gjëra të tjera aty”, tha ai.
Ai tha se aneksi së shpejti do të publikohet dhe do të shihet qartë çka ka dhe çka s’ka.
“Sa për aneksin e zbatimit ai do të publikohet në uebfaqen e Bashkimit Evropian dhe aty do të lexoni dhe kuptoni edhe çka ka edhe çka s’ka”, tha ai.
Për nenin shtatë, Kurti tha se nuk është vetëqeverisje por vetëmenaxhim.
“Nuk është vetëqeverisje por vetëmenaxhim. Unë jam kryeministër i gjithë qytetarëve pa dallim etnie, andaj angazhohem jo vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët dhe gjitha pakicat të tjera…Në këtë aspekt ekziston një paragraf i cili flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit jo shumicë serbë, natyrisht ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta në mënyrë që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim apo diskriminim”, tha ai.
Kurse sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se marrëveshjet e 2013 dhe 2015, janë dy pre 39 marrëveshjeve me Serbinë.
“Unë nuk e mohoj që paraardhësit e mijë e kanë nënshkruar marrëveshje edhe në vitin 2013 dhe 2015. Këto janë 2 prej 39 marrëveshje gjithsej”, tha ai.