Kurti: Kosova s’bëhet pjesë e Open Ballkan, do të vendoset reciprociteti ndaj Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel në Tiranë, se u konfirmua se procesi i Berlinit është korniza edhe rruga për integrimin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

I pyetur rreth komenteve të kryeministrit Edi Rama që tha sot se Kosova po bën teori konspiracioni me nismën Open Ballkan, Kurti tha se nuk e di se për çfarë po flet Rama.

“Unë nuk e di për çfarë teorie konspiracioni është fjala këtu. A e keni pyetur për cilën teori? Është dashur të pyesni. Unë nuk e di se për çfarë teorie konspiracioni bëhet fjalë. Unë po ua tregoj qëndrimin tim, të cilin po ashtu e thash edhe aty, e ky është që Procesi i Berlinit është i nevojshëm, por njëkohësisht edhe i mjaftueshëm për rrugëtimin evropian dhe nuk ka nevojë për variante të tjera. Ballkani, jo që nuk është tri shtete, por nuk është as gjashtë shtete. Ballkani është së paku 12 shtete, e Ballkani perëndimor me këto 6 shtete e ka Procesin e Berlinit. Iniciativa rajonale, ne nuk besojmë se duhet të bëhen pa BE-në brenda. BE-ja duhet të jetë aty. Dallimi në mes procesit të Berlinit, edhe Ballkanit të hapur, është që në të dytën se keni BE-në ”, theksoi Kurti.

Kryeministri Kurti e tha qartë në Tiranë, se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës Open Ballkan.

“Ne kemi nevojë edhe për bashkëpunim sa më të madh midis Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, meqenëse Gjermania është edhe shtyllë politike dhe motor ekonomik i Bashkimit Evropian dhe është vendi në të cilën shqiptarët e Kosovës e kanë mërgatën më të madhe. Kryeministër Kurti, a ju është kërkuar që të përfshiheni në këtë proces? Jo. Qeveria, e Republikës së Kosovës është qeveri e një shteti sovran. Ne i përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht si asnjëherë më parë dhe natyrisht që çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet dhe s’ta njeh pavarësinë, e të bëhemi bashkë, e të vendoset me shumicë votash aty”, tha Kurti. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se përveç për Open Ballkan, me Tiranën janë në komunikim dhe bashkëpunojnë.

“Po nuk biem dakord për Ballkanin e hapur, çfarë të bëjmë tash? Por, s’mendoj ashtu. Unë nuk mendoj që është që është nismë që është në interes të shqiptarëve të Kosovës. Për gjëra tjerë ne jemi në komunikim dhe bashkëpunojmë”, tha ai.

Në lidhje me raportet Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti deklaroi se trysnia duhet të bëhet mbi Serbinë.


“Për raporte normale në Ballkanin perëndimor nuk duhet të ndryshoj Kosova, duhet të ndryshojë Serbia. Nuk bën trysnia të jetë mbi Kosovën, por mi Serbinë dhe bëjnë gabim ata të cilët mundohen që ta ndërtojnë një trysni mbi Kosovën. Trysnia duhet të jetë mbi Serbinë, e cila I mohon krimet dhe e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, theksoi ai. 

Ai konfirmoi gjithashtu se Kosova është dukë bërë përgatitje për padinë për gjenocid ndaj Serbisë të cilën e kishte premtuar.

“Ne jemi duke i bërë përgatitje të mëdha sa i përket mbledhjes së dokumentacionit, andaj, nuk është një gjë që mund ta bëjmë shpejt e shpejt. Ministria e Drejtësisë dhe këshilltarët e mi juridikë e posaçërisht ata për drejtësi tranzicionale dhe për krimet e kryera gjatë luftës, janë duke punuar ditë e natë për këtë gjë”, tha ai.

Derisa Kurti është pyetur edhe rreth hapjes së arkivave, tha së çka do që ka pasur UÇK-ja është në arkivin e shtetit të Kosovës, teksa shtoi se arkivat duhet të hapen në Beograd.

“Kush ka thënë që janë hapur arkivat e Kosovës? Më gjeni atë deklarim timin. Nuk kam thënë, o vëllezër! Çka do që ka pasur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është në arkivin e shtetit të Kosovës. Shtet më të mbikëqyrur se Kosova jo veç në Ballkan, nuk ka. Një herë kishim UNMIK-un, pastaj EULEX-in dhe tërë kohën edhe sot e kësaj dite KFOR-in. Vend më transparent se Kosova, nuk ka. Kur themi se duhet të hapen arkivat, realisht duhet të hapen arkivat në Beograd. Prandaj, është detyrë e shqiptarëve të bëjë trysni mbi Serbinë, jo mbi Kosovën”, tha Kurti.

Sa i përket vendosjes së reciprocitetit, Kurti tha se reciprociteti do të vendoset për shkak se nuk ka ndryshe, s’ka barazi pa reciprocitet me Serbinë.

“Unë iu kam shkruar letër të gjitha qeverive të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm, ku kam renditur 11 shkeljet që po i bën Serbia me barriera sistematike dhe sporadike. Unë po i pres përgjigjet e tyre dhe reciprociteti do të vendoset për shkak se nuk ka ndryshe, s’ka barazi pa reciprocitet. Mirëpo, me ministren tonë të Ndërmarrësisë, të Industrisë dhe të Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe me doganat tona po përgatitemi që ta zbatojmë me sukses atë, sepse asnjë qeveri e më hershme nuk ka zbatuar reciprocitet. Ne kur ta zbatojmë reciprocitetin, nuk guxojmë të dëshmojmë”, tha Kurti.

Ndërsa, i pyetur nga mediat në Shqipëri për mbledhjen e dy qeverive që mbahet të enjten në Maqedoninë Veriore, Kurti tha se e vetmja arsye pse bëhet me Maqedoninë e Veriut para Shqipërisë, është sepse nuk është formuar qeveria ende në Tiranë.

Lexo edhe

Video

error: