Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në margjina të Konventës Kombëtare Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar me senatorin Chris Murphy.
Përmes, një komunikate për media bëhet e ditur se kryeministri Albin Kurti në takim me Murphyn ka shprehur interesimin e tij për rritjen e bashkëpunimit e shkëmbimit tregtar dhe ekonomik me aleatët e partnerët amerikanë.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
Kurti shtoi se për t'u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes.
“Serbia duhet të kthehet te marrëveshja dhe ta respektojë atë në mënyrë që e njëjta të zbatohet. Nuk ka zbatim të marrëveshjes sepse para së gjithash nuk po ka respektim të saj”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri Abin Kurti po ashtu ka kërkuar që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar që Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës, pas sulmit në Banjskë.