Kurti kandidat i LVV-së për kryeministër, Osmani për presidente

Kurti kandidat i LVV-së për kryeministër, Osmani për presidente

Lëvizja Vetëvendosje do të përfshijë në listën e saj zgjedhore iniciativën politike të ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit. Përmes marrëveshjes politike të nënshkruar sot në hollin e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti do të synojë të marrë postin e kryeministrit të vendit, ndërsa Vjosa Osmani të jetë në krye të vendit, si presidente legjitime.

Përmes listës së përbashkët, Kurti e Osmani shprehen optimistë se rezultati i 14 shkurtit do të sjellë votat për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se zgjedhjet e reja do të jetë referendum dhe binomi, siç e quajti me Vjosa Osmanin ka mbështetjen qytetare dhe popullore. Ndërkaq theksoi se nuk do të ketë asnjë pengesë që do t’i ndalë ata.

“Sot, kur na ndajnë saktësisht 1 muaj nga zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë, jemi të gëzuar dhe kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se do të garojmë bashkë në një listë. Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani dhe unë, ish-kryeministri, me subjektet tona politike do të na gjeni në të njëjtin vend dhe për të njëjtin qëllim. Kemi bërë marrëveshjen e parimeve dhe synimeve politike që porsa e nënshkruam para jush, marrëveshje kjo e cila është për një shtet të drejtësisë dhe pa korrupsion. Mbështetja popullore dhe qytetare është për këtë binom që keni para jush. Ne e synojmë ta vërtetojmë këtë pa vonesa dhe pa pengesa më 14 shkurt. Këto nuk janë zgjedhje, por referendum, është fati i gjeneratave dhe brezave të ardhshëm që nuk dëshirojnë të jetojnë në të kaluarën e hidhur. Më 14 shkurt ka referendum!”, tha Kurti.

Ani pse nuk dha detaje për marrëveshjen, Vjosa Osmani tha se e njëjta ka qëllimet e përbashkëta që do të sjellin fitoren plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Marrëveshja ka qëllimet e përbashkëta për luftimin e kapjes së shtetit, padrejtësisë, pabarazisë dhe angazhimit për rimëkëmbje, mirëqenie dhe dinjitet. Sot dhe për katër vjetët në vijim dhe përtej këtyre katër vjetëve, ne jemi të vendosur për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Më me rëndësi se numrat, është ajo se për çka po garojmë dhe çka përfaqësojmë në këtë garë zgjedhore, e cila siç u tha nga kryeministri, është më tepër se sa një garë zgjedhore, është referendum për të ardhmen e vendit. Pra, përcaktohen jo vetëm katër vjetët e ardhshme, por besoj edhe dy dekadat e ardhshme. Ne kemi mjaftueshëm përfaqësues në këtë listë për të arritur fitore plebishitare më 14 shkurt, por listat dorëzohen më 16 janar. Marrëveshja është ndërmjet LVV-së dhe listës që e udhëheq unë”, u shpreh ajo.


Ndërkohë, Osmani, duke iu referuar vazhdimisht si kryeministër të ardhshëm Albin Kurtit, tregoi edhe ambiciet e saja për t’u zgjedhur si presidente legjitime në Kuvendin e Kosovës, pas zgjedhjeve.

“Do të kandidojmë me Kurtin për kryeministër dhe ri-legjitim të presidentes. Do të jem unë personi që do të kërkoj këtë ri-legjitim, sepse presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit. Ky unitet më së miri sigurohet nëse kthehemi te ky popull dhe kërkojmë mendimin dhe qëndrimin e tyre edhe rreth presidentit. Ne jemi të vetëdijshëm për procedurat në Kuvendin e Kosovës, por një president që ka legjitimet popullor më së miri e përfaqëson këtë tipar kushtetues. Rezultati i vullnetit qytetar të 14 shkurtit do të prodhojë votat e nevojshme në Kuvend edhe për zgjedhjen e qeverisë dhe presidentes. Këto janë pritjet dhe shpresat tona”, u shpreh Osmani.

I pyetur për mundësitë që KQZ-ja të mos e certifikojë si kandidat për deputet, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, lideri i LVV-së, Albin Kurti tha se nuk do  të ketë asnjë pengesë që do t’i ndalë ata.

“Pengesa të ndryshme me siguri që do të dalin rrugës, por ato nuk na ndalin asnjëherë, qofshin ato të aspektit të interpretimit juridik apo politike. Pra, nuk ka më pengesa që do të na ndalin më”, tha ai.

Kurti ka refuzuar ftesën e kandidatit për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj për debat televiziv. Ai duke iu referuar LDK-së dhe PDK-së si ‘parti të vjetra’, tha se nuk kanë çka të kërkojnë në garën ndërmjet tyre për vendin e dytë.

“Është evidente që në Kosovë ka një garë të ashpër ndërmjet dy partive të vjetra, kjo garë është për vendin e dytë në zgjedhjet e 14 shkurtit. E në atë garë, as unë as zonja presidente nuk kemi çfarë të bëjmë e as kërkojmë”, tha ai.

Zgjedhjet e parakohshme në vend do të mbahen më 14 shkurt, ndërsa partitë politike kanë afat deri më 16 janar për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë.

Lexo edhe

Video

error: