Kurti: Jam i brengosur për tri ligjet që opozita i dërgoi në Kushtetuese
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se është i shqetësuar me dërgimin e ligjeve nga opozita në Gjykatën Kushtetuese.

Ai tha se në këtë gjykatë, po pret të trajtohet Ligji për çmimet tavan të produkteve bazë. Kjo, sipas tij, po ndikon në ngritjen e çmimeve të këtyre produkteve.

“Mua më vjen shumë keq që Ligji për masat e përkohshme, për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë, është në Gjykatën Kushtetuese. LDK-ja e ka dërguar në Gjykatë këtë ligj. Dhe nëse ka diçka që aktualisht si kryeministër jam më i brengosuri në qeverisjen që e kemi, janë këto tri ligjet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese që po zvarriten dhe për të cilët jam shumë i shqetësuar për vendimet që do të vijnë duke pasur parasysh këtë për KPK-në”, tha Kurti.

Ai tha se nuk mund ta dijë epilogun e vendimeve të GJK-së, por tha se me rastin e fundit për ligjin për KPK-në, të cilin Gjykata e rrëzoi, frikësohet se fat i njëjtë mund t’i presë edhe ligjet tjera.

“Si ta di unë që do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese një ligj që e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me SHBA-në, BE-në, Britaninë, me shoqërinë civile, dhe nuk mjafton komisioni i Venecias, por vjen e rrëzohet këtu në Gjykatën Kushtetuese”.

“Po ta kishim Ligjin për tavanin e çmimeve, që nuk çohet në Gjykatën Kushtetuese siç ndodhi, sot nuk do t’i kishim këto çmime të larta. Tash le ta vlerësojmë edhe këtë aspekt. Unë vetëm po dua të them që le të jetë aspekti normativ, por edhe ai i dobisë. Nëse ankohemi për çmime të larta, e kemi një Ligj që pret të trajtohet në Kushtetuese për t’iu vënë tavanin të gjitha këtyre produkteve bazë. Pra, po të ishte ky ligj në fuqi, sepse ka shumë ligje që opozita nuk i çon në GJK… e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, për Ligjin për çmimin tavan, për KPK-në dhe për KPK-në, ne kemi thënë se në vend se të jenë 10 prokurorë dhe tre të tjerë, të jemi katër me tre. Kjo i ka kaluar filtrat e brendshëm, por jo edhe të Gjykatës Kushtetuese. Kjo më ka shqetësuar shumë sepse kam hall që reformat tona të shumëanshme e kanë gjetur një lloj sigurese që të zvarriten, të vonohen, dhe në këtë mënyrë unë nuk jam i bindur që bëhet nga motivi për ruajtje të kushtetutshmërisë sa i nga një opozitarizmi politik”, deklaroi kryeministri Kurti. /Klankosova.tv

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024