Kurti i kundërpërgjigjet Thaçit: Dëshirat e tij po i përshkruan si fakte të mijat

Kurti i kundërpërgjigjet Thaçit: Dëshirat e tij po i përshkruan si fakte të mijat

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar të insistojë edhe të hënën se Gjykata Kushtetuese duhet vetëm të interpretojë dekretin e mandatarit dhe jo të shkruajë Kushtetutën me krijimin e normave të reja. Sipas tij, shkrimi i saj nuk mund të bëhet nga kjo e fundit, e as nga presidenti Hashim Thaçi.

Të parit të shtetit, Kurti iu kundërpërgjigj edhe në cilësimet që ia ka bërë si uzurpator, ku tha se Thaçi dëshirat e veta, po i përshkruan si fakte të tij.

“Unë pres nga Gjykata Kushtetuese në përputhje me nenin 112 të Kushtetutës së Kosovës që do të bëj interpretim të Kushtetutës, e jo shkrim të saj. As presidenti, as kryeministri, as Gjykata Kushtetuese nuk mund të shkruajnë Kushtetutën. Ne duhet të respektojmë dhe zbatojmë atë, Gjykata Kushtetuese duhet të interpretojë atë. Mirëpo ndryshim të Kushtetutës, plotësim të saj mund të bëjmë vetëm me amendamente parlamentare në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha përshkrimet e Thaçit, ndaj tij nuk qëndrojnë.

“Mua më duket që dëshirat e tij i përshkruan si fakte të mijat. Unë jam kryeministër në detyrë dhe nuk bëhet fjalë këtu për asnjë përshkrim që ka dhënë ai”, tha ai.


Këto komente Kurti i bëri gjatë vizitës në Qendrën e Studentëve, ku u takua me stafin dhe vullnetarët që janë të angazhuar aty.

Nga vendi ku po mbahet karantinimi i personave të riatdhesuar në Kosovë, kryeministri në detyrë tha se liberalizimi i masave do të përcjellët me vigjilencë të shtuar.

“Janë krijuar kushtet për fitoren mbi pandeminë covid 19. Ndodhemi në prag të ngadhënjimit të plotë. Andaj liberalizimi i masave do të përcjellët me vigjilencë të shtuar… besojmë që në javën e ardhshme do të vazhdojmë me lirimit e masave të tjera dhe t’i kthehemi një normaliteti të ri. Megjithatë nuk do të jetë normaliteti i vjetër”, tha ai.

Pas kësaj vizite, Kurti të hënën vizitoi edhe Ministrinë e Shëndetësisë./E.Zeqiri

Lexo edhe

error: