Kurti: I kënaqur me rezultatin, do të fitojmë në secilën komunë

Kurti: I kënaqur me rezultatin, do të fitojmë në secilën komunë

Kryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti tashmë është deklaruar për rezultatin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Ndonëse nuk e fitoi asnjë komunë, por Kurti është shprehur i kënaqur me rezultatet që kanë arritur kandidatët e Vetëvendosjes nëpër komuna. Vetëvendosje tashmë do të shkojë në balotazh në disa komuna e përçka Kurti shprehet se do të angazhohen për të parë se si do të vijojnë planet se si të ecin më tej. I pari i VV-së u shpreh i bindur që do të fitojnë në secilën komunë ku janë në balotazh.

Ai në një konferencë nga zyrat e VV-së, tha se si kryeministër është krenar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë.


“Si kryeministër jam fort krenar që kishim miq nga BE të cilët vëzhguan edhe demokracinë tonë e cila mund të shërbejë si shembull për vendet e rajonit dhe jo vetëm, ata panë se përveç xhudos, filmit dhe programit të vaksinimit Kosova shkëlqen edhe me organizimin e procesit zgjedhor. Si kryetar i VV jam shumë i kënaqur që të shoh kaq shumë kandidatët tanë në balotazh. Njësoj sikur që jam i kënaqur me nivelin e lartë të besimit dhënë asmablistëve tanë gjithandej Kosovës[…]Do të qëndrojë pranë dhe i gatshëm të punojë me secilin kryetar komune me të cilët ndajmë vlerat demokratike e që është i gatshëm të bëjë punë e vështirë e reformave të thella. Nuk e kemi luksin për asgjë më pak. Urime të gjithë kandidatëve dhe mund t’iu them qysh tash se kjo është një festë e madhe e demokracisë si zgjedhje dhe e politikës si shërbim. Poashtu më duhet të them se kandidatët e VV do të jenë gjithandej duke u angazhuar për secilën votë në vijim. Nuk e kemi luksin për asgjë më pak”, tha Kurti.

Ai theksoi se tashmë Vetëvendosje është e para dhe se kurrë nuk ka qenë më e fortë.

“Tash jemi të parët edhe sa i përket zgjedhjeve parlamentare dhe tash që jemi të parët dhe në nivel komunal dhe parlamentar në Republikën e  Kosovës pa dyshim ë kjo na bënë më të kënaqur sepse kurrë nuk  kemi qenë më të fortë, më të fuqishëm. Në balotazh synojmë të fitojmë ku do që kemi në balotazh prandaj them se kandidatët e Vetëvendosje do të angazhohen për çdo votë. Qysh sonte kam takuar një takim me kandidatët që janë nëpër komuna dhe pa humbur kohë do të fillojmë të bëjmë planet tona si do të ecim  më tej”, tha ai.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: