Kurti: Fëmijët dhe vendi ynë meritojnë më shumë

Kurti: Fëmijët dhe vendi ynë meritojnë më shumë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova meriton më shumë por edhe fëmijët meritojnë më shumë nga vendi ynë, nga shteti, institucionet dhe sistemi politik, ekonomik e kulturor.

Këto komente Kurti i bëri në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve – me rastin e Ditës  Botërore për të Drejtat e Fëmijëve.

Në këtë takim ku morën pjesë, edhe përfaqësues të tjerë të ministrive, UNICEF-it në Kosovë, përfaqësuese e grupit të fëmijëve dhe KOMF-it, kryeministri Kurti tha se është obligim të krijojmë një mjedis të favorshëm që lejon pikëpamjet e fëmijëve dhe adoleshentëve të dëgjohen.

Sipas tij, prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit, punëtorët socialë, dhe të rriturit e tjerë, kanë përgjegjësi që t’i dëgjojnë fëmijët dhe t’i marrin seriozisht pikëpamjet e tyre. Kurse, vajzat dhe djemtë e vendit tonë, duhet të kenë mundësinë që bashkërisht me të rriturit të krijojnë modele për nxitjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën qytetare.

“Krijimi i hapësirës për ta, garanton që edhe ne t’i kuptojmë nga afër e më mirë problematikat, për zgjidhjen e të cilave duhet të punojmë të gjithë, së bashku”, tha ai, duke shtuar se takimi i sotëm është edhe një mundësi për të reflektuar mbi progresin tonë dhe për të theksuar domosdoshmërinë për të bërë më shumë.

Kurti po ashtu paraqiti angazhimin e Qeverisë duke thënë se në programin e tyre ka vend të veçantë për fëmijët.

Kurti: Po ndajmë shtesat për fëmijë dhe po ndërtojmë çerdhe

video

“Qeveria jonë në programin e saj ka vend të veçantë për fëmijët. Në përmbushje të zotimeve tona, ne po vazhdojmë të investojmë mundin, kohën, energjinë dhe burimet, në të gjitha aspektet ku fëmijët kanë nevojë, për t’u rritur të shëndetshëm e të lumtur. Për zhvillimin në fëmijëri të hershme, për mbrojtje, mos diskriminim, me pjesëmarrje e fuqizim. Për barazi në fillim të shtegut, po i ndajmë shtesat për fëmijë që mos të ketë pabarazi në moshat e hershme. Brenda vitit të dytë të qeverisjes, me buxhetin për vitin 2023, do të përfshijmë në skemë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Për çdo muaj e kemi rritur edhe nga një vit fëmijët që i kemi përfshirë në këtë skemë, e tash në buxhetin për vitin 2023, i cili ka kaluar në javën që po lëmë pas në lexim të parë Kuvendin e Republikës, po i përfshijmë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Për këtë kemi ndarë buxhet në vlerë prej 60 milionë euro. Në përputhje me premtimin tonë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve, kemi vazhduar linjën buxhetore për ndërtimin e çerdheve, ku për këtë vit i kemi buxhetuar 11 çerdhe për fëmijë. Kemi shtuar 243 pozita të reja për staf për çerdhet që parashihen të funksionalizohen. Edhe Qeveria e ka miratuar Ligjin për arsimin e fëmijërinë e hershme”, tha Kurti.

Këtë vit, sipas Kurtit, së bashku me Presidenten e Kosovës, Bankën Botërore dhe UNICEF-in, kanë lansuar një Thirrje për Veprim për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme, një udhërrëfyes për të siguruar që çdo fëmijë të ketë fillimin më të mirë të mundshëm në jetë.


Ai përmendi edhe vitin 2022, të cilin e kanë  shpallur si vitin e personave me aftësi të kufizuara, me fokus në shëndetësi, arsim, punësim, qasje, mirëqenie sociale, kulturë dhe sport, si dhe drejtësi e siguri.

Sipas tij, me projektbuxhetin për vitin 2023, po e përmbushim premtimin tonë për angazhimin e 500 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara e më nevoja të veçanta.

Kurti: Fëmijët dhe vendi ynë meriton më shumë

Video

“Fëmijët meritojnë më shumë – vendi ynë meriton më shumë. Por edhe fëmijët meritojnë më shumë nga vendi ynë, nga shteti, nga institucionet e sistemi politik, ekonomik e kulturor të Republikës së Kosovës. Edhe vetëdije më e lartë shoqërore, edhe përgjegjësi më e madhe institucionale. Kjo ditë na bën thirrje, pra, për të bërë më shumë veprim kolektiv. Është detyra jonë që të rrisim e edukojmë fëmijë që do ta bëjnë botën edhe më të mirë, e shumë më të dashur e më të lumtur. Ne nuk jemi përgjegjës për botën çfarë e kemi gjetur, por jemi përgjegjës se si ajo ecën më tutje, dhe çfarë ua lëmë trashëgim atyre që do të vijnë pas nesh, e këtu para së gjithash e mbi të gjitha janë fëmijët”, tha ai.

Era Thaqi, kryetare e grupit RoR në një fjalë rasti tha se është e rëndësishme që fëmijët të jenë prezent në takime që diskutohen për të ardhmen e fëmijëve. Sipas saj nevojitet më shumë përkrahje për fëmijët.

Thaqi: Neve fëmijëve na nevojitet përkrahja e vazhdueshme

VIDEO:1:13

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që fëmijët të jenë prezent në vendimmarrje dhe në të gjitha takimet ku diskutohet për të ardhmen tonë. Neve fëmijëve na nevojitet përkrahja e vazhdueshme sepse duke qenë të përfshirë në mënyrë aktive në takime vendimmarrëse kjo ndikon në formësimin tonë që në të ardhmen të jemi qytetar aktiv dhe të përgjegjshëm duke dhënë kontribut pozitiv në aktivitet. Fëmijët duhet të jenë prioritet çdo ditë të vitit”, tha Thaqi.

Kjo ditë në Kosovë është shënuar edhe me aktivitete të tjera.

Lexo edhe

Video