Kurti e njoftoi Blinkenin për situatën në veri dhe takimin e Brukselit

Kurti e njoftoi Blinkenin për situatën në veri dhe takimin e Brukselit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të cilin e ka njoftuar për situatën në veri të Kosovës si dhe takimin e zhvilluar javën e kaluar në Bruksel.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në bisedën e zhvilluar të hënën, Kurti i ka thënë diplomatit amerikan se takimi trepalëesh në Bruksel nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së gatishmërisë nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.


“U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë”, është theksuar në njoftim.

Kryeministri Kurti ka theksuar edhe njëherë se zgjedhjet në katër komunat veriore duhen paraprirë nga sundimi i ligjit.

“Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte”, është bërë e ditur në komunikatë.

Lexo edhe

Video