Kurti e Konjufca në mesin e zyrtarëve që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsion. AKK, përmes shortit, zgjodhi 932 zyrtarë, ose 20% të listës së plotë, që do t’i nënshtrohen këtij kontrolli të pasurisë.

Përveç emrit të Kurtit dhe Konjufcës kontrollimit të plotë të pasurisë nga AKK do t’i nënshtrohet edhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, pastaj ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu dhe zëvendësministres së Mjedisit, Linda Çavdarbasha e kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Po ashtu, kontrollit të pasurit do t’i nënshtrohen edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës si Arben Gashi, Fitore Pacolli, Besim Muzaqi, Erxhan Galushi, Marigona Geci, Filloretë Raçi, Fadil Gashi, Hydajet Hyseni, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Hajdar Beqa, Igor Simiq, Behgjet Pacolli etj.

Agjencia Kundër Korrupsion do të bëjë kontrollin e plotë të pasurisë edhe të shumë këshilltar politik, prokurorëve, gjyqtarëve, kryetarëve e këshilltarëve komunale e ambasadorëve të Kosovës.

Nga kryetarët e komunave që do t’i nënshtrohen këtij procesi janë Fadil Nura, kryetar i komunës së Skenderajt, Bedri Hamza, kryetari i Mitrovicës, pastaj Bali Muharremaj kryetari i Suharekës, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj etj.

Ndërsa, edhe Jetish Malokut nga KGJK dhe Blerim Isufaj i cili është kandidat për Kryeprokuror të Shtetit, gjyqtari, Beqir Kalludra, do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë së tyre.


Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj u shpreh se procesi i deklarimit të pasurisë nga zyrtarët publikë ka shkuar shumë mirë.

“20% është verifikim mandator i cili i bëhet listës së publikuar të zyrtarëve, kjo listë është nga dje në faqen tonë elektronike, radhitja e zyrtarëve është e atillë në mënyrën se si i kemi të procesuar të dhënat nuk ka ndonjë radhitje në bazë të ndonjë institucioni, po ashtu siç i kemi pranuar formularët…. Ligji na obligon që të jemi të hapur dhe transparent për përzgjedhjen e 20%-shit… Procesi i deklarimit ka shkuar shumë mirë mund të themi nuk ka pasur shumë zyrtarë që e kanë deklaruar me vonesë apo nuk e kanë deklaruar fare pasurinë neve na ka marr pak kohë procesimi, sepse procesimi bëhet në mënyrë manuale”, theksoi ai.

Sipas tij, numri i atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë në AKK është i vogël.

“I kemi një numër shumë të vogël të zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar fare pasurinë për arsye se disa nga ta kanë arsye të forta, disa nga ta tashmë janë të arrestuar për shkak të ndonjë afere që kanë pasur dhe iu ka pamundësuar dorëzimi i formularëve. Ata që nuk e kanë deklaruar shumica nga këto raste janë hetuar tashmë dhe në rastet kur është aplikuar janë bërë edhe kallëzime penale”, theksoi ai.

Me qëllim që procesi të jetë transparent hedhja e shortit është bërë nga përfaqësues nga shoqëria civile.

Nga numri i përgjithshëm i zyrtarëve të lartë publikë që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 4684 zyrtarë të lartë publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, 50 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, ndërsa 14 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani.

Gjatë ditës së djeshme Agjencia Kundër Korrupsion ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publikë për vitin 2021.

Lexo edhe

Video