Kurti e ish të burgosurit flasin për themelimin e institutit për të përndjekurit politikë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në 42-vjetorin e demonstratave të 1 dhe 2 prillit, priti sot në takim kryetarin e shoqatës së ish të burgosurve politikë të Kosovës, Shefki Sadiku, së bashku me Binak Ulaj, ish-kryetar i Shoqatës, Xhemajl Pllana, sekretar i Shoqatës, Hydajet Hyseni, anëtar i kryesisë, njëherësh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe Meriman Braha, ish-sekretar.

Në këtë takim, ku të pranishëm ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kryeministri Kurti dhe përfaqësuesit e Shoqatës kthyen në kujtesë organizimin e demonstratave të vitin 1981, ballafaqimin me regjimin Jugosllavë dhe kthesën historike që populli ynë kishte bërë në atë vit.

 “U diskutua për sfidat dhe kërkesat e Shoqatës, për format e mundshme të mbështetjes për funksionalizimin dhe fuqizimin e saj, si dhe për kujdesin dhe përgjegjësinë institucionale për ruajtjen e memories kolektive përmes themelimit të institutit për ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë. Demonstratat e 1 dhe 2 prillit janë demonstratat më masive të vitit 1981. Atyre u parapriu protesta në mensë e studentëve me 4 mars dhe pastaj demonstratat me 11 dhe 26 mars 1981. Te blini i famshëm, para Ministrisë së Kulturës sot, ishte duke folur në megafon Hydajet Hyseni, i cili po i afrohej katër viteve ilegalitet atëbotë, e bashkë me të aty edhe Kadri Batusha, Ahmet Bllaca dhe Remzije Limani. Ish të burgosurit politikë evokuan edhe kujtimin për Jakup Krasniqin i cili më 1 prill 1981 ishte po ashtu në mesin organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratës, kurse tash e 29 muaj po mbahet në paraburgim në burgun e Hagës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024