Kurti dhe Blinken diskutojnë për strehimin e afganëve

Kurti dhe Blinken diskutojnë për strehimin e afganëve

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken lidhur me ndihmën që Kosova ka ofruar në strehimin e afganëve të cilët janë evakuuar nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin e vendit.

“Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me SHBA-në është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, shkroi Kurti në një postim në Twitter.

Ai shtoi se sekretari Blinken i ka shprehur Kosovës mirënjohjen në emër të presidentit amerikan, Joe Biden për bashkëpunimin dhe ndihmën.


Kontaktet e udhëheqësve shtetërorë të Kosovës dhe atyre të SHBA-së janë shpeshtuar që prej se në Kosovë kanë filluar të arrijnë grupe të afganëve që janë evakuuar nga Afganistani.

Më 2 shtator edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një bisedë telefonike me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris, ku kjo e fundit shprehu mirënjohjen e SHBA-së për ndihmën e Kosovës në përpjekjet e evakuimit nga Afganistani.

Më 16 gusht Kosova miratoi kërkesën e SHBA-së për të strehuar një numër afganësh që kanë punuar me forcat e huaja gjatë luftës në Afganistan dhe të cilët ndjehen të pasigurt nën sundimin e talebanëve, të cilët e morën kontrollin e Afganistanit pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë dhe vendeve aleate.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se deri më tani në Kosovë janë strehuar përkohësisht 683 shtetas afganë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: