Kurti – Abazoviq diskutojnë thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Mali i Zi

Kurti – Abazoviq diskutojnë thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Mali i Zi

Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, të cilin e uroi për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.

Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, kryeministri Kurti e falënderoi Abazoviq për bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe Malit të Zi në shumë fusha.

Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët.


U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet. 

Në takim u veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore Kosovë-Mali i Zi, si rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve.

Po ashtu u bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së dyja vendeve, si dhe për organizimin e mbledhjes G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti.

Lexo edhe

Video