Kurteshi akuzon PDK-në dhe LDK-në për “vjedhje industriale të votës”

Me akuza e diskutime të shumta është përcjellë mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se PDK e LDK ka bërë vjedhje industriale të votave në një vendvotim në Fushë Kosovë. Ndërkaq, të dy këto parti kanë thënë se ky vendvotim është rinumëruar pa të drejtë.

Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka folur për vendvotimin në Fushë-Kosovë numër 0906E/01D, i cili në mbledhjen e kaluar ishte vendosur të shkojë në rinumërim.

“Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillimisht ka bërë hetim paraprak, pastaj ka bërë rinumërimin e këtij vendvotimi, që është i komunës së Fushë Kosovës. Pra, sipas vendimit të KQZ-së për hetim dhe rinumërim, ekipi i rinumërimit në QNR ka analizuar fletëvotimet në vendvotimin 0906E/012. Së pari ka analizuar vlefshmërinë e tyre dhe që është kontrolluar se këto fletëvotime a janë të vlefshme, a i takojnë atij vendvotimi sepse secili fletëvotim përmban të shtypur dhe të printuar vendvotimin që i takon. Të njëjtat nuk mund të përdoren në vendvotime të tjera. Nga vlerësimi i këtyre kritereve, ekipi i hetimit vërteton se fletëvotimet janë të vulosura, përmbajnë numrin e vendvotimit të printuar dhe numrat serik të atyre fletëvotimeve i takojnë atij vendvotimi. Këto elemente tregojnë se nuk është cenuar integriteti i fletëvotimeve”, ka thënë ai.

Ahmetaj në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka thënë se pas rinumërimit të këtij vendvotimi, një fletëvotim që i takon subjektit numër 160 është numëruar si votë për subjektin 144.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alim Rama  ka thënë se ky vendvotim është dëmtuar aq shumë sa nuk duhet të kalojë.


“Unë mendoj që këtu ka ndodhur diçka shumë më e madhe se sa që e kemi në raportin e sekretariatit. Kështu që larg prej asaj që kjo mundet me u procesu si e rregullt. Ne kemi edhe një kërkesë tjetër prej sekretariatit, ne e votojmë shmangien nga rregullat e KQZ-së. Rregulla e KQZ-së thotë se në qoftë se ke diferencë më shumë se tre fletëvotime, atëherë ato nuk procesohen. Ne nuk kemi pasur kërkesë për këtë. Problem më i madh është se pse u hap kjo kuti pa raportin e KQZ-së. Ne kemi kërkuar hetim dhe nuk kemi votuar fare për këtë. Këtu kemi shkelje pas shkelje, shkelja ka filluar në vendvotim dhe ka vazhduar në QNR. Ky vendvotim është aq i dëmtuar sa nuk meriton të kalojë”,
ka deklaruar Rama.  

Ndërsa, për Florian Dushin nga Lidhja Demokratike e Kosovës ky vendvotim është dërguar pa të drejtë në rinumërim.

“Është shumë me rëndësi me ditë qe hetimi përfshin edhe rinumërimin. Sepse hetimi nuk mundet me ardh te asnjë konkludim i saktë, nëse nuk do të kemi rinumërim edhe të votave për subjekte edhe të fletëvotimeve të mbetura.  Ju pa të drejtë, në kundërshtim me rregullat me fuqinë e votës, e keni quar në hetim. Një vendvotim i cili sipas rregullativës sonë të brendshme i ka plotësuar të gjitha kriteret për tu proceduar si i rregullt. Ne nuk jemi këtu për të bërë hesape politike dhe me vendos me fuqinë e votës nëse duam të procedojmë diçka”, ka deklaruar Dushi.


Megjithatë, për këtë ka reaguar përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, i cili deklaroi se në Fushë Kosovë ka pasur vjedhje industriale të votës nga PDK e LDK.

“Këtu ka pasur përpjekje për vjedhje industriale. Po, po. Edhe atë LDK e PDK. Me një vendvotim në komunën e Fushë Kosovës të quajtur Harilaq, komisioneri i PDK-së dhe LDK-së kanë filluar të vulosin fletëvotimet e papërdorura nga to qenkan që i ka marrë policia, do të thotë me i vjedh. Edhe kur u është tërhequr vërejtja, i kanë shqyer. Edhe ato ka ardhur i ka marrë policia. Po flasim për diçka që është vepër e rëndë penale, krim, edhe thotë jo këtu i kemi votat. Kemi përpjekje për vjedhje, ashtu siç ka ngjarë deri më tash”, ka deklaruar Kurteshi, i cili shtoi se derisa të përfundojë hetimi penal nuk mund të vazhdojë puna në një vendnumërim.

Më tej, Kurteshi ka kërkuar incizimin dhe procesverbalin, meqë theksoi se nuk ka më besim në sekretariat e Qendër të Numërimit të Rezultateve.

“Zotëri kryeshef tha ne kemi vendosur me i rinumëruar. Zotëri kryeshef çka të flisni, mos e tërhiqni këtu të vërtetën pa e sjell incizimin edhe procesverbalin. Ne nuk i zëmë besë njëri-tjetrit, a din pse? Se e kemi zën njëri-tjetrin tu vjedh, tu bo hile, mashtrime. Edhe kjo është shkatërrim i marrëdhënieve ndërnjerëzore. Kur bëhen përpjekje për të vjedhur, edhe ajo vjedhje mohohet, përpiqet të shkohet më tutje, shkatërrohen marrëdhëniet ndër- njerëzore. Nuk i besojmë sekretariatit dhe QNR-së, sepse ka bërë shkelje të rënda ligjore me 14 shkurt dhe përpara”, ka shtuar ai.

Kurteshi ka vijuar edhe më tej duke drejtuar gishtin edhe ndaj kryeshefit të sekretariatit, Burim Ahmetaj.

“Zotëri kryeshef ju jeni pjesë e kësaj, por nuk guxoni bash hapur ta bëni. Ju e luni lojën, po, po. Ahmetaj: Këso akuza nuk toleroj të bëni. Po abuzohet direkt, mos abuzo. Zotëri kryeshef ne dimë gjithë procedurën qysh ka shkuar. Unë nuk ndalem, vetëm kur të flasin konkretisht. Nëse fillojmë me gjuajt gurin e me fsheh dorën. Nuk është e papranueshme, në këtë shtet prokurori me shefin e AKI-së kanë dërguar njerëz në burg dhe i kanë dënuar. Unë këtu nuk përfundoj. Jam i mllefosur me gjuhën e poshtër të diskutimit”, ka deklaruar ai.

Pas këtyre diskutimeve, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka kërkuar pesë minuta pauzë pas akuzave të Kurteshit, i cili ka vazhduar të theksoj se vjedhje industriale nuk do të ketë më në Kosovë.

Radoniqi ka thënë se kutia e votimit nuk është cenuar dhe se përputhen nënshkrimet e gjithë votuesve në atë vendvotim me numrin e fletëvotimeve në kuti të votimit.

Më pas është miratuar rekomandimi i sekretariatit që vendvotimi në Fushë-Kosovë, të procedohet si i rregull me rritje të nivel të tolerancës në 22 dhe rezultatet e këtij vendvotimi të përfshihen në rezultatet përfundimtare.

Lexo edhe

Video

error: