Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në ditën e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, iu është drejtuar besimtarëve myslimanë për festën e Fitër Bajramit, dhe tha se muaji i Ramazanit ishte një periudhë e edukimit të thellë shpirtëror dhe moral për besimtarët, duke theksuar se kjo festë përfaqëson kulmin e një rrugëtimi të përkushtimit dhe devotshmërisë.
Ai deklaroi se Ramazani shërbeu si një shkollë e lartë e edukimit shpirtëror, ndërsa Fitër Bajrami vjen si manifestim i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore, duke përcjell mesazhe paqeje, solidariteti dhe përgjegjësie shoqërore.
Myftiu theksoi se Ramazani dëshmoi se besimi kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi.
“Ky muaj na bëri të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë ndaj Zotit, ndaj vetvetes dhe ndaj shoqërisë, duke e forcuar ndjenjën e solidaritetit dhe të dhëmbshurisë për ata që janë në nevojë. Në përvojën e përbashkët të sofrës së iftarit, ky muaj i bekuar kultivoi ndjenjën e barazisë, forcoi unitetin, thelloi solidaritetin dhe ringjalli shpresën, duke na rikujtuar se dera e mëshirës së Zotit të madhërishëm mbetet përherë e hapur për zemrat e pastra dhe të sinqerta. Të dashur besimtarë, Fitër Bajrami është kurora e këtij rrugëtimi shpirtëror. Ai nuk është vetëm një festë gëzimi, por një manifestim i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore”.“Në këtë ditë, zemrat mbushen me paqe, falje dhe dashuri. Ndërsa besimtari e ndjen më fuqishëm përgjegjësinë e tij si mëkëmbës i Zotit në tokë, për të përhapur të mirën dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë e të moralshme. Në traditën tonë, Fitër Bajrami është festë e bashkimit, e pajtimit dhe e humanizmit. Është dita kur hapen zemrat, kur shtrihen duart e pajtimit dhe kur forcohen lidhjet familjare e shoqërore. Sofrat tona mbushen me begati, por mbi të gjitha me dashuri, respekt dhe mirënjohje. Kjo festë na kujton se gëzimi i vërtetë është ai që ndahet me të tjerët. Kjo është dita kur duhet të jemi më pranë njëri-tjetrit, më të kujdesshëm ndaj të varfërve, jetimëve, të moshuarve e të sëmurëve”, tha Tërnava.
Myftiu Tërnava theksoi se kjo festë mbetet simbol i bashkimit, pajtimit dhe humanizmit, duke bërë thirrje për solidaritet të shtuar ndaj shtresave në nevojë.