Kur është koha e përshtatshme për të treguar që jeni shtatzënë?

Kur është koha e përshtatshme për të treguar që jeni shtatzënë?

“Pritja e ëmbël“, kështu e quajnë ndryshe periudhën e shtatzënisë, por kur vjen çështja te puna, gjërat komplikohen paksa, krijohet një lloj tensioni te punëdhënësi dhe punonjësja. Punëdhënësi do të jetë nën trysninë e kohës për ta gjetur dikë që t’i plotësojë detyrat e punonjëses gjatë kohës sa ajo nuk është, ndërsa punonjësja është nën trysninë e pyetjes se kur është koha e duhur për të treguar.

Përpara se të mësoni se kur është koha e duhur dhe mënyra e duhur për të treguar që jeni shtatzënë, është mirë të mësoni se si janë të rregulluara të drejtat tuaja me Ligjin e Punës në Kosovë.

Të drejtat e punonjëses sipas Ligjit të Punës në Kosovë

Sipas nenit 46 të Ligjit të punës në Kosovë, femrës shtatzënë dhe gjidhënëse i ndalohet të punojë në vendet e punës ku paraqiten punë veçanërisht të rënda fizike, punë që i ekspozohen faktorëve biologjikë, kimikë apo fizikë të cilët paraqesin rrezik për shëndetin riprodhues dhe rastet e tjera specifike.

Ndërsa në nenin 48 përcaktohet që femra shtatzënë dhe ajo me fëmijë nën moshën 3 vjecare nuk mund të obligohet të punojë më gjatë se orari i rregullt dhe punë gjatë natës.

Ky ligj e ka rregulluar edhe çështjen e lehonisë së punonjëseve në Kosovë. Ato e kanë të gjithë të drejtën për 12 muaj të pushimit të lehonisë.

„Me prezantimin e certifikatës mjekësore femra e punësuar mund ta fillojë pushimin e lehonisë deri në dyzetepesë (45) ditë para datës kur pritet të lindë. Në periudhën prej njëzetetetë (28) ditëve para datës kur pritet të lindë, punëdhënësi me pëlqimin e femrës shtatzënë, mund të kërkojë që ajo ta fillojë pushimin e lehonisë, nëse punëdhënësi mendon se femra e punësuar nuk është në gjendje t’i kryejë detyrat e saj“, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 49.

Gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë. Tre muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë. Mirëpo, punonjësja ka të drejtë që ta zgjatë pushimin edhe për tre muaj pa pagesë.

E, nëse lehona nuk dëshiron që ta shfrytëzojë mundësinë e pushimit pas 6 muajsh, duhet që ta njoftojë punëdhënësin, më së largu 15 ditë para përfundimit të pushimit.

Si t’ia zbuloni shtatzëninë punëdhënësit tuaj


Pasi t’i keni mësuar të gjitha të drejtat tuaja që lidhen me shtatzëninë, atëherë është koha që ta mësoni se çfarë hapash duhet të ndërmerrni për t’i treguar punëdhënësit për “pritjen tuaj të ëmbël”.

Mos e zbuloni shtatzëninë gjatë intervistës

Është plotësisht në rregull që të jeni shtatzënë. Mbani mend që nuk jeni të detyruar ligjërisht që ta zbuloni shtatzëninë punëdhënësit tuaj të ardhshëm! Mbase dëshironi që të tregoheni të sinqertë gjatë intervistës, sepse mendoni që shoqëria jonë ka përparuar, por ajo informatë mund t’jua mohojë mundësinë për të fituar një punë.

Një studim nga Rice Univeristy, ka gjetur që kandidatet që janë shtatzënë marrin më shumë „armiqësi“ ndërpersonale. Punëdhënësit ose rekruterët i mbyllin para kohe bisedat, i shtrëngojnë buzët, ose i trajtojnë në mënyrë më të vrazhdë kandidatet shtatzënë në krahasim me ato që nuk janë. Megjithatë hulumtimi ka treguar gjithashtu se kur aplikantet shtatzënë theksojnë nivelet e tyre personale të përkushtimit dhe fleksibilitetit, kanë gati tre herë më pak gjasa të përjetojnë diskriminim sesa ato që nuk e bëjnë këtë.

Përcaktoni kohën e duhur për t’i treguar punëdhënësit

Përderisa nuk është përcaktuar me ligj, ju duhet të jeni strategjik për kohën kur bëhet fjalë për t’i dhënë punëdhënësit tuaj lajmet e shtatzënisë. Mirëpo, është mirë që shumë që të jepni lajmet e shtatzënisë pas tremujorit të parë. Kjo do t’ju japë kohë të mjaftueshme për të mbledhur mendimet tuaja dhe për ta konstatuar se jeni vërtet me një fëmijë.

Mos prisni deri në fund të shtatzënisë për të dhënë lajmin! Punëdhënësi juaj duhet të bëjë plane për lejen tuaj të lehonisë dhe të bëjë rregullime që dikush t’ju ndihmojë në mungesën tuaj. Nëse nuk komunikoni herët, kjo do t’ju bëjë një punonjëse të pavëmendshëm.

Për më tepër, disa shtatzëni janë të ndërlikuara. Ato kanë nevojë për disa rregullime në orarin normal të punës, për shembull duke punuar nga shtëpia. Prandaj, komunikoni herët me punëdhënësin tuaj në mënyrë që ai të mund të bëjë rregullimet e nevojshme!

Jepni lajmin përpara se kjo të vërehet vetë

Imagjinoni sikur të takoheni më punëdhënësin tuaj në korridor me barkun e rritur! Mund të mos dëshironi që të tregoni, mirëpo elementi i befasisë në vendin e punës nuk është ideal. Jini të shpejtë për të komunikuar shtatzëninë tuaj sa më shpejt të jetë e mundur me punëdhënësin tuaj!

E rëndësishme të theksohet, është se nuk ka asgjë për t’u turpëruar në çështjet e shtatzënisë. Shtatzënia sa është e gëzueshme aq edhe një çështje delikate, prandaj mos ngurroni që të bëheni nënë, punëdhënësi do t’ju përshtatet. 

Lexo edhe

Video

1 Koment

  • […] Kur është koha e përshtatshme për të treguar që jeni shtatzënë?​Si të jepni dorëheqje nga puna, pa i prishur mundësitë e tjera5 gjëra që udhëheqësit nuk duhet t’i bëjnë në vitin 2022​3 arsye pse nuk duhet të gënjeni në intervista të punës? […]

Komentet janë të mbyllura.