Lugina e Vjosës karakterizohet nga veçori të shumta natyrore: rrjedhën e rrëmbyeshme, kanione, burimet ujore, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme, peizazhe panoramike të papërsëritshme, fshatra karakteristikë etj.
I konsideruar si një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë, me gjithë këto veçanti, që ndërthuren në harmoni të plotë me njëra-tjetrën, e bëjnë këtë pjesë të Vjosës perfekte për sporte ujore, siç është edhe rafting.
“Vjosa është po aq magjike dhe sfiduese edhe përgjatë mbrëmjeve ku turistët nuk hezitojnë të vijojnë me aktivitetet e shumëllojshme”, shprehet Kumbaro.
Aventurierët përshkojnë me gomone lumin nga Përmeti deri në Këlcyrë me një gjatësi gati 20 km. Rrjedha është e qetë në disa vende dhe e tërthortë në vende të tjera me thellësi më të madhe.
Turistët janë gjithmonë në kontakt të drejpërdrejtë me natyrën e paprekur të luginës, me njerëzit, historinë, traditat.
Rafting në lumin Vjosë ofrohet për të gjithë të apasionuarit pas natyrës së egër, aventurës, adrenalinës dhe sporteve në natyrë.
Në 13 mars 2023 lumi i Vjosës, i fundit i egër në Evropë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park Natyror”./RTSH