Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi ka arritur sot një tjetër sukses, ku ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të xhudos, që po zhvillohet në Tashkent të Uzbekistanit.
Distria e mposhti në repesazh xhudisten izraelite, Gefen Primo, kështu duke e siguruar të bronztën, medalja kjo e shtatë e Kosovës në Kampionatet Botërore, raporton KosovaPress.
Pas suksesit të Krasniqit tani ka reaguar edhe trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton Kuka, i cili tha se nxënësit e tij po e bëjnë krenarë atë tash e dy dekada.
“Medalja e shtatë për xhudon nga Kampionatet Botërore!
Distria sot si gjithmonë në krye të detyrës. Një anulim i çuditshëm i hudhjes së saj kundër anglezes në gjysmëfinale e ndalën nga finalja e madhe! Përndryshe në krejt luftërat ishte dominante në çdo aspekt. Por ajo mori forcë dhe për medalje ishte pa asnjë gabim kundër izraelites Gefen.
Sporti i xhudos po vazhdon tutje e mua nxënësit po më bëjnë krenar tash e dy dekada. E për fund shijoni foton e mbretëreshave tona në role të ndryshme! Krenar me ju”, shkruante Kuka në “Facebook”.
Reagimin e Kukës në “Facebook” pa ndërhyrje e gjeni më poshtë.