Kryeprokurori i Pejës i kërkon Policisë së Deçanit raport për praninë e dy serbëve që dyshohet se helmuan ujin

Prokuroria Themelore e Pejës ka thënë se është herët të dilet në konkludime se dy të rinj serbë kanë mundur ta helmojnë ujin, nga i cili dyshohet se u helmuan qindra qytetarë të Komunës së Deçanit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj tha se për rastin e Deçanit ka angazhuar dy prokurorë të cilët janë duke e trajtuar çështjen në mënyrë që të zbardhet e gjitha.

“Menjëherë me marrjen e informatave me rastin në Deçan, unë kam angazhuar dy prokurorë të cilët intensivisht janë marrë me këtë çështje dhe kanë qenë në kontakte të drejtpërdrejta të cilat merren me ndriçimin dhe zbardhjen e këtij rasti. Jemi duke punuar intensivisht  dhe jemi kryesisht tu u marrë se a ka dyshime te faktori njeri që ka mundur të shkaktojë këtë pasojë. Por në këtë fazë nuk mund të dalim me konkludime të qarta, t’i paraprijmë disa konkludimeve. Por edhe për këtë çështje shumë shpejt do të prononcohemi”, tregoi Kurmehaj.

Ndërsa ai foli edhe për dyshimet se dy shtetas serbë kanë mundur jenë të përfshirë në gjithë situatën e krijuar në Deçan që nga e shtuna. Kurmehaj në konferencën për media tha se meqë ende nuk janë lajmëruar për këtë, ata kanë kërkuar nga Policia në Deçan që të përpilojnë një raport.


“Sa i përket dy qytetarëve të nacionalitetit serb,, sot kam kërkuar nga Policia e Deçanit që të përpiloj një raport urgjent që do të më njoftojnë për këtë dhe ne më pas do të merremi me veprime të nevojshëm në atë drejtim. Edhe për këtë çështje iu njoftojmë me kohë”, potencoi Kurmehaj.

Për dy të rinj serbë të cilët muajin e kaluar kishin vizituar një restorant në Hulaj të Deçanit, policia ishte njoftuar edhe përmes pamjeve të kamerave të sigurisë. Për pronarin qysh ditën kur kishte parë ata me veturë dhe targa të Novisadit, kanë qenë të dyshimtë. Madje thotë se më 28 korrik kishte njoftuar Policinë e Deçanit.

Derisa ende nuk dihet se cili është shkaktari i helmimit të mbi 1500 banorëve nga Deçani, presidenti i Serbisë ka deklaruar se ka njohuri për serbët të cilët janë kapur nga kamerat e sigurisë.

Aleksandër Vuçiq ka treguar edhe me çfarë veture kanë lëvizur dhe sa larg burimit të ujit ishin.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: