"Kryemjeshtri" prezantohet në Tiranë, Rama: Nuk është një histori sporti, por më tepër se kaq
Sport
Lexohet për: 6 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton Kuka ishte i ftuar sot në COD në Tiranë së bashku me kampionet olimpike, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.

Së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në COD u diskutua për rrugëtimin drejt suksesit të trajnerit me tri medalje të arta olimpike, si dhe u bë prezantimi i librit “Kryemjeshtri” nga Arsim Maxhera, raporton KosovaPress.

“Kryemjeshtri” i dedikohet suksesit të Kukës, dhe kryeministri Rama tha se ky libër nuk është thjeshtë një histori sporti, por një histori e jashtëzakonshme pasioni dhe këmbëngulje për të realizuar të paimagjinueshmen.

“Në këndvështrimin tim nuk është thjeshtë një histori sporti, por shumë më tepër se sa kaq. Është një histori i jashtëzakonshme pasioni, ambicie dhe këmbëngulje për të realizuar të paimagjinueshmen për hir të vërtetës, sepse besoj që vetëm në kokën e Dritonit mund të ketë ekzistuar si fillim ambicia për të sjellë në Kosovë medalje ari nga Lojërat Olimpike. Pastaj, me shumë pak të tjerë, kjo ambicie është kultivuar deri sa në fund ka shpërthyer në një sukses të jashtëzakonshëm, dhe nuk them dot më tani se është i papërsëritshëm për faktin se vlera tjetër e shtuar e këtij suksesi është që përbën forcën e një shembulli që me siguri do të frymëzoj të tjerë dhe pa asnjë diskutim në muajt e caktuar do të sjellë të tjera suksese si rezultat i dhënies së provës se nuk ka asgjë të pamundur kur njeriu shikon me sy hapur një ëndërr dhe ka kurajon dhe ka pasionin dhe ka gatishmërinë që ti shkojë pas asaj ëndrre duke pranuar të gjitha sakrificat, të gjitha dhimbjet, të gjitha mundimet, të gjitha rrëzimet, të gjitha zhgënjimet që janë të pashmangshme, dhe duke ia dalë në fund”, tha Rama.

Ndërkaq, trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton Kuka e shpjegoi momentin e medaljes olimpike duke e cilësuar atë të veçantë, ndërsa tha se dëshira e tij e madhe ishte që t’i sjellë medalje Shqipërisë në Lojërat Olimpike në vitin 2012, ku asokohe Kuka dhe Majlinda Kelmendi përfaqësonin Shqipërinë.

“Momenti i medaljes së artë olimpike është i veçantë, sepse të them të drejtën e kemi prit shumë dhe kemi punu shumë për këtë ditë. Pas dy medaljeve të arta të Majlinda Kelmendit si kampione botërore, pyetja e vetme ose komenti i vetëm që e kom pas prej shumë njerëzve ka qenë ‘mirë mirë por Lojërat Olimpike janë më me rëndësi’. Është e vërtetë, Lojërat Olimpike janë kulmi i çdo sportisti, dhe faktikisht me gjithë rezultatet e shkëlqyeshme që i kemi pas, megjithatë ato Lojërat Olimpike kanë mbet si diçka e veçantë. Dëshira ime e madhe ka qenë që në vitin 2012, kur e kemi përfaqësu shtetin tonë amë, Shqipërinë në Londër, Majlinda të sjellë medaljen e parë për Shqipërinë, olimpike, por atëherë të them të drejtën un si trajner kam qenë në hapat e parë, trajner ende pa përvojën e duhur, se ndoshta me një përvojë pak më të madhe të timen, ndoshta edhe prej atje kishim sjellë medalje olimpike”, tha Kuka.

Kuka më tej foli edhe për momentin kur Majlinda e fitoi medaljen e artë olimpike në Rio 2016, ku tha se për dy orë truri i tij kishte qenë jashtë funksionit, dhe se ai nuk e dinte ç’po ndodhte. Trajneri pejan në fund tha se tri kampionet olimpike do t’i quajë gjithmonë kampione olimpike shqiptare, dhe jo vetëm të Kosovës.

“Momenti i medaljes së artë olimpike në Rio, kur ka dalë Majlinda prej tatamit, unë iu kam thënë shpesh miqve dhe njerëzve që kam biseduar që për dy orë nuk e kam ditë se çka ka ndodh, edhe i kom pyet edhe njerëz ekspertë që janë të asaj anës psikologjike së çka ka ndodhë me trurin tim ato dy orë. Faktikisht, unë nuk e kam përjetuar ndarjen e medaljeve, nuk e kom përjetuar ceremoninë e medaljeve sepse unë fizikisht kam qenë aty por e kam pas një ndërprerje në trurin tim diku për dy orë. Dhe kur Majlinda ka dalë në podium edhe iu ka nda medalja e artë, është kthyer për një moment në anën e djathtë dhe ka bë me sy, këtë e kam pa mandej në incizimet e videos, edhe e kam pyet se kujt ia ke bë me sy qaty, tha ty, thash unë nuk e di se ku kam qenë. Domethënë aq e fuqishme ka qenë ajo ndjenja e fitores në Lojërat Olimpike që unë për dy orë kom pas shkëputje në trurin tim edhe të gjitha veprimet çka i kam bë, derisa s’kemi shku në dhomën e doping-kontrollës, unë nuk kam qenë i vetëdijshëm se çka kom bë ose si jam sjellë... Tash, kur kanë ardh momentet e medaljeve të arta të Distrisë dhe Norës kam desh me vepru ndryshe, edhe kom shku jom ul në një kënd ku kom desh thjesht të di ku jam dhe me shiju momentin e ndarjes së medaljeve dhe ceremonisë së medaljes së artë olimpike. Kështu që ne Rio faktikisht nuk kam qenë në vetëdije të plotë gjatë ceremonisë por i kam shijuar ato në tërësi në Tokio në rastin e ceremonisë së dy kampioneve të tjera olimpike, se tashmë i kemi tri kampione olimpike, dhe unë gjithmonë do t’i quajë kampionet olimpike të popullit shqiptarë, jo vetëm të Kosovës, sepse ajo çka historia ka gabuar në raport me shqiptarët, unë po mendoj që me kohë do të përmirësohet. Tash s’po hyjë në atë pjesën politike, por është një e vërtetë dhe është një fakt”, tha Kuka.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se suksesi i Driton Kukës është frymëzim për suksese të mëtejme, dhe rezultat i asaj që gjithçka është e mundur nëse punohet me pasion, ambicie dhe këmbëngulje.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024