Kryeministri Kurti përplaset me Tahirin për UÇK-në

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është bërë temë e përplasjes së ashpër sot në Kuvend, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Ishte ky i fundit që e konsideroi fatkeqësi dhe kompleks të Kurtit të qenit viktimë e Serbisë dhe jo luftëtarë dhe çlirimtar. Por një ndarje të tillë e kritikoi kryeparlamentari Glauk Konjfuca, derisa kreu qeveritar e mohoi të njëjtën.

Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit, tha se kryeministri Kurti është kryeministri i pari që po e bënë temë UÇK-në në Bruksel, e kjo sipas tij, është e dëmshme.

“Je kryeministri i parë i këtij vendi që fatkeqësisht e bëni temë UÇK, kjo është e dëmshme, kjo s’ka qenë asnjëherë. Hashim Thaçi si president i vendit nuk e ka pasur kompleks Serbinë sepse ka qenë fitimtarë i luftës, fatkeqësisht sot na udhëheqë një njeri që ka qenë viktima i atij regjimi. Unë kisha dashur me qenë luftëtar, por s’je fatkeqësisht. T’i komplekset tua nuk mundesh me i shëru kaq lehtë”,  tha ai.

Por këtë, kreu qeveritar e quajti si dëshirë të tij dhe përpjekje për të përçarë, derisa i tha se ta pyet komandantët Sylejman Selimi dhe Rrustem Mustafa nëse ka qenë apo jo luftëtar i UÇK-së.

“Ju mund të vazhdoni të përpiqeni të përçani, por nuk ndahet populli siç doni ju. Prandaj ka votuar siç ka votuar në 14 shkurt të këtij viti. Nuk mund të përçani popullin në luftëtar të paepur dhe viktimave, në hierarkinë e vlerave tona nuk janë rend të parë. E dyta, a ka qenë Adem Demaçi UÇK, e nëse ka qenë, unë kam qenë sekretar i tij. E a kam qenë UÇK pyeti Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën”, shtoi ai.


Lidhur me deklaratat e deputetit Tahiri, u përfshi edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, i cili i quajti të dëmshme dhe fyese për të gjitha viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

“Ndarja e asaj çfarë na ka ndodhur gjatë luftës, në viktimat të pavlera dhe luftëtarë me shumë vlera. Kjo asnjëherë nuk duhet të lejohet në Kuvendin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë në gojën e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Natyrisht kemi qenë edhe viktima të regjimit të Millosheviqit”, theksoi Konjufca.

Kryetarit të Kuvendit i reagoi shefi i grupit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se bashkëndjenë për gjitha viktimat dhe nuk e kishte në drejtim të fyerjes ndaj të tyre.

“Nuk e thash në atë drejtim, por  thash se unë kisha dashtë që ky të jetë një çlirimtar luftëtar i lirisë, prandaj po e them prapë se nuk po e keqpërdori, Por bashkë ndjej me gjithë viktimat”, tha ai.

I menjëhershëm në reagim ishte sërish kryetari i Kuvendit, i cili tha se prej gjithë votuesve të PDK-së, deputeti Tahiri është i fundit që mund të fliste për UÇK-në.

“Zotëri Tahiri s’pe di sa votues i ka PDK-ja por ti kishe me qenë i fundit që kishe me fol për vlerat e UÇK-së. Ka plotë në PDK që munden me kallxu”, deklaroi ai.

Lexo edhe

Video