Kroacia paralajmëron dëbimin e disa diplomatëve rusë

Kroacia paralajmëron dëbimin e disa diplomatëve rusë

Ministri i Jashtëm kroat Gordan Grliq-Radman njoftoi sot në Bruksel se Kroacia do të dëbojë disa diplomatë rusë, siç kanë bërë tashmë shumë anëtare të BE-së dhe NATO-s.

“Ne do ta bëjmë për solidaritet dhe si reagim ndaj asaj që po ndodh, ndaj këtyre skenave të tmerrshme në Bucha dhe rajone të tjera të Ukrainës”, tha Grliq- Radman, para takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

Një numër vendesh anëtare të NATO-s dhe BE-së kanë vendosur të dëbojnë disa diplomatë rusë pas raportimeve për zbulimin e varrezave masive dhe vrasjet e civilëve në qytetin ukrainas Bucha, pas tërheqjes së trupave ruse.

Ministrat e Jashtëm të 30 vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë për ndihmën e mëtejshme për Ukrainën të mërkurën mbrëma dhe të enjten.


Ata do të diskutojnë vendosjen e armëve antitank, sistemet kundërajrore, asistencën kibernetike, pajisjet për mbrojtjen nga kërcënimet kimike dhe biologjike.

Të enjten, atyre do t’i bashkohet ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba, i cili do t’i informojë mbi zhvillimet e fundit, përfshirë negociatat midis Kievit dhe Moskës.

Në takim do të marrin pjesë edhe Finlanda, Suedia, Gjeorgjia, Bashkimi Evropian, si dhe partnerë në rajonin e Azisë-Paqësorit të Australisë, Japonisë, Zelandës së Re dhe Koresë së Jugut.

Në takim do të diskutohet edhe për Konceptin e ri Strategjik, i cili do të miratohet në samitin e Aleancës në Madrid në fund të qershorit.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.