Kroacia do të rrisë praninë ushtarake në Kosovë në misionin e NATO-s

Kroacia do të rrisë praninë ushtarake në Kosovë në misionin e NATO-s

Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq ka thënë të enjten në selinë e NATO-s në Bruksel se Kroacia, në javët në vijim, do të rrisë numrin e pjesëtarëve të saj në misionin e KFOR-it në Kosovë.

Ai e ka bërë këtë njoftim në një konferencë për media pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shefi i NATO-s e ka falënderuar Kroacinë, duke e quajtur “anëtare të rëndësishme të aleancës” për kontributin që ka dhënë gjatë këtyre viteve për forcimin e sigurisë së përbashkët, përballjen me kërcënimet e sigurisë dhe për misionet e NATO-s nga Afganistani deri në Kosovë.

Kryeministri i Kroacisë ka thënë se Kroacia është e nderuar të jetë anëtare e NATO-s dhe të mund të jep kontribut.

“Ju përmendet Kosovën dhe praninë tonë. Në javët që vijnë do të rrisim praninë tonë në Kosovë”, ka thënë kryeministri i Kroacisë.

Edhe shefi i NATO-s dhe kryeministri kroat kanë thënë se lidhjet e forta transatlantike janë me rëndësi jetike për NATO-n.

Ata madje kanë paralajmëruar se këto lidhje do të forcohen këtë vit kur edhe do të zhvillohet një samit i NATO-s në Bruksel.


Kroacia ka përfunduar vitin e shkuar pjesëmarrjen e ushtarëve të saj në misionin e NATO-s në Afganistan.

Që atëherë, Kroacia ka vendosur të shqyrtojë mundësinë e rritjes së kontributit të saj në misionin e KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë.

Sipas të dhënave të fundit të NATO-s, Kroacia ka 37 pjesëtarë në misionin e KFOR-it nga rreth 3.500 pjesëtarë sa janë në këtë mision ushtarak.

Numrin më të madh të ushtarëve e kanë Shtetet e Bashkuara me 660 pjesëtarë, Italia me 542, Hungaria 397 dhe Austria 324.

Misioni i KFOR-it në Kosovë ka nisur angazhimin në qershor të vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes tekniko-ushtarake mes NATO-s dhe Ushtrisë së atëhershme Jugosllave, me çka i është dhënë fund fushatës ajrore kundër forcave të udhëhequra nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq./tch



Lexo edhe

Video