Kritikohet draftligji për shëndetësi, s’ka shpresë që kalon në Kuvend
Tema
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Drafti i projektligjit për Shëndetësi, i cili aktualisht është në konsultime paraprake, po kundërshtohet nga Odat e profesionistëve shëndetësorë, derisa jetësimi i tij përgjatë kësaj legjislature po konsiderohet si proces i pamundur për shkak të vonesave në hartimin e tij.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se aktualisht projektligji është në konsultime paraprake, të cilat më pastaj do t’i hapin rrugë procedimit në Kuvend.

“Ligji për Shëndetësinë tashmë është në konsultat paraprake do të vazhdojë me diskutimet publike dhe sapo të përfundojnë të gjitha këto procedura administrative, do të shkojë në Qeveri e pastaj do të procedohet në Kuvendin e Kosovës,” tha Vitia.

Por, drafti i këtij projektligji të rëndësishëm për shëndetësinë kosovare po kundërshtohet nga Odat e profesionistëve shëndetësorë me arsyetimin se po tentohet t’u merren kompetencat.

Kryetari i Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës, Feim Gashi u shpreh se nuk janë aspak të kënaqur me draftin aktual.

Duke theksuar se nuk e dinë se kush e ka hartuar këtë draft, Gashi tha se kanë kërkuar qasje në dokumente zyrtare për të kuptuar se kush e ka bërë projektligjin për shëndetësi, pasi ata asnjëherë nuk janë ftuar.

Sipas Gashit, draft-ligji aktual nuk duhet të kalojë pasi ka vërejtje të shumta.

Vonesat për hartimin e projektligjit për Shëndetësi nga partitë opozitare po konsiderohen të pajustifikueshme. Madje, ata nuk besojnë që ky projektligj do të vijë në Kuvend përgjatë legjislaturës së tetë. Deputeti nga radhët e PDK-së Bekim Haxhiu shprehet pesimist për ecurinë e këtij projektligji.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj e konsideron të pajustifikueshme faktin që ende nuk ka ardhur për diskutim në Kuvend projektligji për Shëndetësi.

Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitia nënvizon që projektligji për Shëndetësi është dashur t’i prijë reformës legjislative në shëndetësi.

Ligji për shëndetësi për herë të parë është votuar në Kuvend në vitin 2013.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024