Krasniqi: Turneu “Lah Nimani” ka për synim të mbajë gjallë historinë e boksierit legjendar

Krasniqi: Turneu “Lah Nimani” ka për synim të mbajë gjallë historinë e boksierit legjendar

Sot, për të 13 herë radhazi u zhvillua turneu ndërkombëtar i boksit “Lah Nimani”, turne ky që zhvillohet për nder të legjendës së boksit, të ndjerit Lah Nimani.

Në këtë turne morën pjesë gjithsej 16 boksierë, të cilët përfaqësonin shtetet si Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Danimarka dhe Sllovakia, përcjell KosovaPress.

Pas përfundimit të kësaj gare, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi, u shpreh tejet i kënaqur me organizimin e këtij turneu, e po ashtu edhe me boksierët e rinj, ku tha që me brezat e rinj do të synojmë që të mbajmë gjallë historinë e boksierit legjendar Lah Nimani.

“Pati luftëra shumë të mira, besoj që edhe drejtësia ka qenë në nivel. Fituan më të mirët, kështu që me të vërtetë për të përgëzuar për këtë organizim të mirë. Vetë turneu i cili është i të ndjerit Lah Nimani është shumë i vlefshëm për ne, sepse e dimë që Lah Nimani ka qenë një prej legjendave të sportit të boksit, njeriu i cili ka bërë ndryshim në boksin në Ish-Jugosllavi, njeriu që ka lënë histori sa i përket boksit dhe ne duhet ende duhet të kemi synim që ta kthejmë kohën e Lah Nimanit, të kemi garues të tillë, dhe sot kam parë që vërtetë një rini shumë e mirë shumë e shëndosh, një rini që është duke ec rrugës së drejtë, edhe besoj që nëse vazhdojmë me këtë punë që pash sot nuk do të mungojnë edhe rezultatet në arenat ndërkombëtare”, tha Krasniqi.


Pas presidentit Krasniqi, boksieri danez Leotrim Muli u shpreh tejet i lumtur që e fitoi titullin e boksierit më të mirë në këtë turne.

“Ishte mirë, një turne tejet i mirë, dhe jam shumë i lumtur që fitova, dhe që isha boksieri më i mirë i kësaj gare”, tha Leotrim Muli.

Në fund, edhe shoku i tij i përfaqësueses së Danimarkës Elias Idrissi tha disa fjalë me rastin e pranimit të çmimit si boksieri më fair-play në këtë turne, ku u shpreh edhe i kënaqur me vendin se ku kishte boksuar sot.

“Garë e mirë, dhe ishte mirë, dhe vendi ishte i mirë, më vjen shumë mirë që boksova këtu”, tha Idrissi.

Për 13 vite radhazi, kjo garë organizohet nga Federata e Boksit të Kosovës, për të kujtuar boksierin dhe legjendën e ndjerë të sportit kosovar Lah Nimanin, i cili në kohën e Ish-Jugosllavisë kishte lënë gjurmë të mëdha në sportin e boksit. /A.Arifi/

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: