Krasniqi: Sportistët e rinj të ndjekin rrugën e Majlinda Kelmendit

Në fillim të kësaj jave, kampionia olimpike Majlinda Kelmendi edhe zyrtarisht u tërhoq nga të qenit xhudiste aktive, sport ky në të cilin ajo fitoi çdo trofe që mund të fitohet. Me këtë rast, presidentja e vendit Vjosa Osmani organizoi një ceremoni te veçantë ku njëherit edhe e nderoi me Urdhrin “Shote Galica”.

Heroinë të kombit, xhudisten nga Peja e ka quajtur edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi. Ai për KosovaPress ka thënë se Majlinda është heroinë e të gjithë kombit shqiptar dhe se ajo e ka hapur derën për të gjithë sportistët e rinj që synojnë të arrijnë suksese në të ardhmen, ndërsa u shpreh i bindur se Kelmendi do të jetë e suksesshme edhe si trajnere e këtij sporti.

“Vetë fjala, kur gjithë populli, kombi shqiptar e quan heroina shqiptare, besoj që fjalë më të madhe se heroinë të jesh për një komb nuk ka fjalë më të madhe. Ajo është heroina jonë, unë e kam cekur edhe më herët që ajo i ka hapur dyert e sportit të Kosovës dhe iu ka treguar dhe iu ka dhënë shembull të gjithë sportistëve kosovarë e shqiptarë që me një punë të përkushtuar mund t’ia arrijnë qëllimin. Ajo e ka arritur atë qëllim, e ka hapur derën dhe tani asaj dere ia kanë mësyrë të gjithë sportistët dhe jo rastësisht kemi pasur edhe rezultate të tjera në ‘Tokio 2020’”, tha Krasniqi.

Më tutje, i pari i KOK-ut ka thënë se si prijës i këtij institucioni sportiv është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura nga sportistët në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, por shtoi se synohen trofe dhe fitore të reja edhe në ciklin tjetër të Lojërave Olimpike “Paris 2024”.


“Jo vetëm ne që jemi të kënaqur, personalisht normal që jam i kënaqur por kjo ka qenë një befasi për të gjithë botën kështu që padyshim që jemi të kënaqur shumë mirëpo nuk do të thotë kjo që nuk do të jemi edhe në ‘Paris 2024’ për medalje. Ne do të punojmë shumë, siç keni parë këtë organizim dhe këto bursa që do t’i ndajmë për 22 sportistë që pretendojmë që janë në formën më të mirë të duhur në këtë moment dhe besoj që me këto ndihma që do t’i japim ne dhe me ndihmat që do t’i përkrahim të gjithë garuesit dhe federatat që punojnë dhe synojnë ‘Parisin 2024’ të kenë rezultate më të mira të mundshme”, theksoi i pari i KOK-ut.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka ndarë shpërblime për të gjithë pjesëmarrësit në Lojërat Olimpike si dhe ka ndarë bursa për 22 sportistë të rinj dhe Krasniqi premtoi se do të ketë mbështetje edhe më të madhe në këtë drejtim si dhe zbuloi se së bashku me ministrin e sportit Hajrulla Çeku janë duke punuar për investime të tjera në infrastrukturën sportive.

“Keni parë fjalimet e sportistëve të cilët kanë qenë shumë të motivuar dhe kjo ka qenë arsyeja, që t’i motivojmë dhe ne do të përpiqemi që t’i motivojmë edhe më shumë në të gjitha aspektet edhe financiare edhe përgatitore, por në të ardhmen, bisedimet të cilat i kemi edhe me ministrin…të ndikojmë edhe në ndërtimin e infrastrukturës ku është nevoja më e madhe për sportistët tanë në të gjithë Kosovën”, tha në fund Krasniqi.

Ndryshe, në Lojërat Olimpike që u zhvilluan këtë vit, Kosova mori pjesë me 11 sportistë, i fitoi dy medalje të arta dhe u rendit në vendin e 42-të në botë.

Lexo edhe

Video