Krasniqi në veri: Shqiptarët po përballen me sfida, Zeqiri dhe Peci po kontribuojnë për paqen
Lajme
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar sot komunat në veri të Kosovës, ku është pritur nga kryetari i Zveçanit, Ilir Peci dhe ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se ka parë nga afër sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohen qytetarët në këto vendbanime.

“Sot, vizitova Zveçanin dhe Zubin Potokun, ku takova kryetarët e këtyre dy komunave, Ilir Pecin në fshatin Kelmend dhe Izmir Zeqirin në fshatin Çabër. Pashë nga afër sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohen jo vetëm kryetarët e komunave, por edhe qytetarët shqiptarë në këto vendbanime”, ka shkruar ai.

Kreu i PDK-së ka vlerësuar kontributin e kryetarëve Peci dhe Zeqiri për përkushtimin në kryerjen e detyrës së tyre me përgjegjësi dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke ndikuar në paqe dhe shtensionim të situatës në komunat ku qeverisin.

“Të dy kryetarët i falënderova për përkushtimin, sakrificën dhe vullnetin, që, përkundër kushteve jo adekuate, detyrën e tyre ta ushtrojnë me durim, përgjegjësi dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në paqe dhe shtensionim të situatës në komunat e tyre. Para se gjithash, sot, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci janë në shërbim të qytetarëve, të komunave të tyre dhe të shtetit të Kosovës. Dhe, për këtë, ata gëzojnë mbështetjen e plotë timen dhe të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai.

Ndërsa protestuesit serbë kanë sulmuar me gurë një veturë të Policisë së Kosovës në Zveçan.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024