Krasniqi në Bruksel: BE të liberalizojë sa më parë vizat për qytetarët e Kosovës

Krasniqi në Bruksel: BE të liberalizojë sa më parë vizat për qytetarët e Kosovës


Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel ka zhvilluar sot  takime të ndara me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, raportuesen për Kosovën në PE Viola Von Cramon dhe kryesuesin e Grupit të Miqësisë me Kosovë në PE, Lucas Mandl.

Temat që u shtjelluan në këto takime ishin mbështetja e Parlamentit Evropian lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, thellimi i bashkëpunimit politik me BE-në për t’i hapur rrugë integrimit evropian të Kosovës në tërësi, si dhe fuqizimi i shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Krasniqi dhe kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në PE, David McAllister, gjatë takimit diskutuan për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor e veçanërisht në Kosovë, me theks të veçantë te prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës.

Ndërsa në takim me Viola Von Cramon, kryetari Krasniqi ka folur për nevojën e vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi, por edhe për nevojën që Këshilli Evropian sa më parë të marrë vendimin për heqjen e vizave.

“Raportuesja Von Cramon është njëra ndër përkrahëset më të mëdha të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe ne jemi shumë mirënjohës për angazhimin e saj në raport me këtë çështje tejet të rëndësishme për vendin tonë”, tha Krasniqi.

Edhe në takimin me eurodeputetin austriak dhe raportuesin për Kosovën të Partisë Popullore Evropiane, njëherësh kryesues i Grupit të Miqësisë me Kosovën në PE, Mandl, kreu i PDK-së theksoi nevojën e pashmangshme për liberalizimin e vizave, pasi ka vite që janë përmbushur kriteret e kërkuara për këtë proces.

“Eurodeputetin Mandl e falënderova për angazhimin e tij në këtë pikë, i cili u pajtua se mundësimi i lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës është urgjent dhe shumë i rëndësishëm. Po ashtu, Mandl, i cili ishte shef i Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet lokale në Kosovë, na përgëzoi për nivelin e lartë të demokracisë të treguar në këtë proces nga i tërë spektri politik në Kosovë”, tha Krasniqi.


Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Lexo edhe

Video

error: