Krasniqi: Me Isni Kilajn merr fund keqqeverisja në Malishevë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Malishevë, ku kryetari i këtij subjekti, Memli Krasniqi tha se është koha që më 14 nëntor duke votuar partinë që e udhëheq, qytetarët e kësaj komune t’i japin fund keqqeverisjes në Malishevë.

Kreu i PDK-së në një tubim me qytetarë tha se lidhja e subjektit që ai e drejton me Komunën e Malishevës është e pashkëputshme dhe se nuk është dëmtuar asnjëherë, as nga rezultatet zgjedhore.

Krasniqi tha se qytetarët e Malishevës dhe PDK-në i lidh historia e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qeverisja zhvillimore e transformuese për të cilën u shpreh se mburret që subjekti që ai e drejton ka bërë punë të mira në këtë komunë.

Kryetari i PDK-së tha po ashtu se të rinjtë dhe të rejat e kësaj komune kërkojnë ndryshim, derisa shtoi se PDK do t’ia kthejë shpresën Malishevës.


“Malisheva ka shpresë, qytetarët e Malishevës kanë shpresë dhe ne do t’ua kthejmë këtë shpresë dhe do t’ua shpërblejmë me punë. Sepse ne gjatë gjithë kësaj fushate iu kemi thënë se: ‘nuk kemi dal vetëm për votat e juaja’. Nuk e kërkojmë votën tuaj vetëm që ta bëjmë Isninë kryetar e ta vendosim PDK-në në pushtet. Para së gjithash, jemi në garë për besimin tuaj… Sot, edhe unë në emrin e PDK-së e kërkoj votën tuaj për Isni Kilajn, sepse ai do t’ua shpërblejë me punë, me angazhim, me iniciativa të cilat do të jenë për të mirën e Malishevës, për të mirën tuaj, për të mirën e familjeve tuaja. Ka ardhur koha që të marrë fund epoka e keqqeverisjes në Malishevë. Më datën 14 nëntor, goditjen e fundit kësaj keqqeverisje do t’ia japin qytetarët e Malishevës”, tha Krasniqi.

Ndërkaq kandidati i PDK-së për të parin e Malishevës, Isni Kilaj u shpreh i bindur për fitoren e tij më 14 nëntor.

Ai tha se PDK së bashku me partnerët e koalicionit do të udhëheqin me dinjitet komunën e Malishevës, duke sjellë ndryshimin në këtë qytet.

“Unë do të jem kryetari juaj pa mëdyshje më 14 nëntor dhe do t’iu shërbej në mënyrë më të mirë dhe më dinjitoze të mundshme. Do të jem bashkë me ju, në të mirë e në të keq, gjatë gjithë qeverisjes time. Sonte këtu kemi ardhur për me e tregu forcën tonë, gatishmërinë tonë për ta bërë atë ndryshim. Nuk kemi ardhur për të mbajtur fjalim politik, por për të shprehur falënderimet e mia dhe për të iu treguar këtyre burrave dhe grave që ne jemi të gatshëm, ju qenkeni të gatshëm për të sjellë fitoren e PDK-së dhe të partnerëve tanë të koalicionit. Me një qeverisje të përbashkët do ta udhëheqim denjësisht Malishevën”, tha ai.

Isni Kilaj do të përballet në balotazh me Ekrem Kastratin e Nismës Socialdemokrate.

Lexo edhe

Video