Krasniqi-Kurtit: Ke mundur ta bësh vet këtë që e bërë dje në Bruksel

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se veprimet e kryeministrit Albin Kurti kanë shprehur pafuqinë e Kosovës. Sipas tij, gjatë këtyre javëve është ndjellë frikë, panik dhe është shkaktuar krizë e panevojshme në veri. Gjatë seancës plenare, Krasniqi ka theksuar se drafti franko-gjerman nuk i adreson aspiratat e Kosovës.

Gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës, Krasniqi tha se në katër javët e fundit janë shkaktuar drama të panevojshme.  Sipas tij, është koha të veprohet në drejtim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.


“Ne mirëpresim dakordimin që ka ndodhur dje në Bruksel, marrëveshjen e cila shmang përshkallëzimin dhe eskalimin potencial të situatës në veriun e vendit. Por, vërtetë u bë shumë zhurmë, por jo shumë zhurmë për asgjë. Sepse, nuk është që ndodhi asgjë, në fakt ndodhi shumë sepse një çështje të cilën e cila ishte kompetencë ekskluzive e qeverisë dhe kryeministrit, arritët që ta shndërroni në temë të diskutimit e të negocimit duke bërë palë Serbinë dhe Aleksandër Vuçiqin për një çështje e cila ishte krejtësisht kompetencë vendimmarrëse e qeverisë dhe kryeministrit. Ke mundur ta bësh vet këtë që e bërë dje në Bruksel, duke u dakorduar me ShBA-të dhe duke marrë për bazë këshillin që e kishe që më shumë se katër javë në tavolinë e në telefonata, takime nga Escobar dhe sekretari i shtetit, Blinken”,
ka deklaruar Krasniqi.

Duke mos bërë një gjë të tillë, Krasniqi shtoi se është shprehur pafuqia e Kosovës.

“Mua më vjen keq që ke shprehur një pafuqi të Kosovës, duke mos qenë e mundshme që ta zbatoni vendimin për tabelat dhe po ashtu duke krijuar edhe shpenzime për mbajtjen e zgjedhjeve që kanë mundur të evitohen, por duke ndjellur edhe frikë, panikë dhe krizë të panevojshme jo vetëm në veri, por sidomos në veri. Po ashtu, ka një paqartësi të madhe për të cilën nuk jeni deklaruar as ju e as kryenegociatori i juaj, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi se a do të kthehen serbët në institucionet e Kosovës. Cfarë do të bëni për këtë? Askush prej jush nuk po tregon se a do të ketë normalitet në veriun e vendit, siç ka pasur. Sepse normalitet si para katër javëve nuk mund të bëni, sepse tash zgjedhjet do të mbahen, nuk mund t’i ktheni eprorët e policisë që janë dorëhequr”, ka theksuar ai.


Ai nga Kurti e Bislimi ka kërkuar përgjigje edhe për zyrtarët e tjerë të dorëhequr në institucione publike. Krasniqi ka folur edhe për planin franko-gjerman, ku ka renditur edhe pesë shtyllat për marrëveshjen në Bruksel.


“Si draft aktual nuk i adreson aspiratat shtetërore të Kosovës. Për angazhimin në negocimin dhe përmirësimin e tij, është i nevojshëm dhe unë ju kam inkurajuar që ta bëni një gjë të tillë. Dëshiroj të theksoj këtu qëllimet kryesore që duhet dhe mundet të arrihen në fund të procesit, që janë qëllime jo vetëm të PDK-së, por unë besoj nga të gjitha këto vite deklarime e qëndrime, të gjithë spektrit politik edhe të gjithë qytetarët. Duke të inkurajuar kryeministër për vendosshmëri dhe fokus në arritjen e marrëveshjes finale ju ftoj që këto pesë shtylla kryesore të marrëveshjes të jenë: 1. ruajtja e karakterit unitar të shtetit tonë sipas rregullimit aktual kushtetues, 2. Njohja formale nga pesë shtetet mos-njohëse të BE-së, 3. Nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në partneritetin për paqe si hap i parë, 4. Marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe 5. Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”,
ka përfunduar ai.

Krasniqi tha se në rast se shefi i ekzekutivit do të vepronte përgjegjshëm, duke mos vendosur në pyetje edhe aleancat më të rëndësishme, atëherë këto katër javë do të ishin të fokusuar në situatën aktuale në Kosovë.

Përndryshe, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka propozuar pesë pika Kryeministrit Kurti për marrëveshjen finale me Serbinë, për të cilat, ka thënë ai, se do ta ketë mbështetjen e plotë të PDK-së.

“Dëshiroj që ritheksoj këtu qëllimet kryesore që munden dhe duhet të arrihen në fund të procesit, që janë qëllime jo vetëm të PDK-së por të të gjithë spektrit politik të Kosovës por edhe qytetarëve të vendit tonë. Duke të inkurajuar për vendosmëri dhe fokus në arritjen e marrëveshjen finale, ju ftoj që këto pesë shtylla t’i keni bazë të dialogut.

1.            Ruajtja e karatkerit unitar të shtetit tonë sipas rregullimit aktual kushtetutes, 2. Njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, 3. Nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në partneritetin për paqe si hap i parë, 4. Marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE, Njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës  dhe Serbisë”, ka propozuar Krasniqi./Sh.Pajaziti

Lexo edhe

Video