Krasniqi: Kemi nevojë për fuqizim të infrastrukturës ligjore dhe mbrojtjen e bizneseve tona

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi thotë se prezenca e një numri të madh të bizneseve në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, tregon interesimin për zhvillim dhe përfshirje në tregun shqiptar.

Përkundër prezencës së bizneseve nga Kosova, Krasniqi thotë për KosovaPress, se do të duhej të kishte më shumë përfaqësim në panairin që po mbahet në Pallatin e Kongreseve.

“Shpresojmë që panaire të tilla të kemi edhe në Prishtinë vitin e ardhshëm, shumë më shumë se viteve të mëhershme para pandemisë. Vetë prezenca e gjithë këtyre bizneseve tregon interesimin e tyre për t’u zhvilluar shumë më shumë. Shqipëria dhe vendet e rajonit janë të interesuara që të jenë prezente më shumë në tregun shqiptar. Në këtë panair janë disa biznese që janë prezente në Kosovë, por janë shumë më pak në krahasim me mundësitë që ka Kosova që të jetë prezente në panaire të ndryshme”, tha Krasniqi.

Në ditën e dytë të Panairit Ndërkombëtar të Biznesit, Krasniqi shton se Kosova ka pasur ngecje në zhvillim ekonomik.


“Ne si vend, viteve të fundit për shkak të problemeve politike kemi pasur ngecje në zhvillim ekonomik dhe hapja më e madhe ndoshta më shumë do të na dëmtojë se sa do të na hapë, për shkak se kemi nevojë që të fuqizohemi me infrastrukturë ligjore edhe me një ofertë për biznes edhe me mbrojtjen e bizneseve tona, në mënyrë që të kemi mundësi që pastaj të kemi hapje më të madhe sikur vendet tjera”, shprehet ai.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thekson se Kosova do të duhej të ishte më prezente në këtë panair.

“E pamë që është prezente Serbia në një pjesë të panairit dhe besojmë që viteve të tjera, që Kosova të jetë më prezente. Natyrisht që jemi në kontakt me udhëheqësit e panairit “Klik Ekspo Group” dhe besojmë që bashkë me ta viteve të tjera të jemi shumë më aktivë edhe këtu edhe në vendet tjera”, tha Krasniqi.

Panairi Ndërkombëtar i Biznesit është organizuar nga Klik Ekspo Group. Ky është edicioni i 27-të, ndërkaq këtë vit përcillet me sloganin “Një Ballkan i vetëm, Ballkan më i fortë”. Për herë të parë njëkohësisht, në këtë panair po marrin pjesë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. KosovaPress është sponsor medial në Panairin Ndërkombëtar në Tiranë. Po ashtu, KosovaPress është edhe pjesëmarrëse në panairin e organizuar nga Klik Ekspo Group.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.