Krasniqi: Investimi më i madh i qeverisë në këto dy vjet është ndarja e shoqërisë në dy tabore

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se shefi i ekzekutivit gjatë grevës ka menduar vetëm si të dalë triumfues dhe i pa nënshtruar ndaj Rrahman Jasharajt. Ai në seancë plenare ka thënë se qeveria aktuale, investimin më të madh e ka pasur ndarjen e shoqërisë në dy tabore.

 Krasniqi ka thënë se shefi i ekzekutivit, Albin Kurti në këtë situatë ka vazhduar me logjikën e konfrontimit dhe jo zgjidhjes së situatës.


“Problemin specifik që kërkon zgjidhje e ka shndërruar në zgjidhje të tij për problemet e gjithanshme, me të cilat ballafaqohemi si vend. Ka zgjedhur të merret me lavdi politike duke iu dëshmuar militantëve dhe vartësve të tij se çka do të thotë me qenë kokëfortë e i panënshtruar ndaj Rrahman Jasharajt dhe mësimdhënësve. Pra për të nuk është me rëndësi dëmi, as ai direkt e as koleteral, as nxënësit dhe mësimdhënësit. Me rëndësi është fundi, sepse Albin Kurti e ka traditë politike të mendojë për fundin pa i llogaritur pasojat e as personazhet. I tillë ka qenë gjithmonë, të tillë janë ata politikanë që politikën e shohin jo si përmbushje të përgjegjësive ndaj qytetarëve, por si përmbushje të egove të pushtetarëve”,
ka thënë ai.


Krasniqi ka shtuar se në dy vjet mandat të qeverisë që drejtohet nga Albin Kurti, investimi më i madh është ndarja e shoqërisë në dy tabore.


“Investimi më  madh dhe i vetëm që ka bërë kjo qeveri në dy vite të mandatit është me nda shoqërinë në tabore, me neve ose me ata. Ja me neve ja me ata. Këtu veç ne edhe ata bashkë nuk ka pasur. Ka gjithçka të kundërt, përplasje në vend të dialogut, monolog në vend të dialogut, kryeneçësi në vend të kompromisit. Kjo është simptomë se si ky mentalitet autokratik e sheh qytetarin e Kosovës dhe shoqërinë e Kosovës. Është e dhimbshme se çfarë mendësie ia kanë mveshur pushtetit dhe përgjegjësisë politike, qeverisja e Albin Kurti”,
ka shtuar Krasniqi në seancë plenare.

Kjo grevë, siç tha Krasniqi, ka nxjerrur në pah një qeveri jo legjitime që  ushtron pushtet e nuk ofron zgjidhje. /Sh.Pajaziti

Lexo edhe

Video