Krasniqi i drejtohet Kurtit: Bëje leximin e duhur ndaj mesazhit të qytetarëve, ritmi juaj i pamjaftueshëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka ftuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, që të bëjë leximin e duhur të mesazhit të qytetarëve për zgjedhjet lokale.

Ai tha se qeveria qendrore duhet t’i mbështesë të gjitha komunat njëjtë, barabartë dhe padiskriminim.


Kreu i PDK-së duke iu drejtuar Kurtit, tha se qytetari në këto zgjedhje ka folur qartë dhe ka dhënë mesazh që ky ritëm i juaji është i pamjaftueshëm.

“Dua të ftoj kryeministrin e Kosovës që të bëjë leximin e duhur ndaj mesazhit të qytetarëve, andaj i nderuar kryeministër dhe ju pjesëtarë të mazhorancës qytetarët në nivelin lokal kanë bërë zgjedhjet e tyre të ndryshme, por qeveria qendrore duhet t’i mbështesë të gjitha komunat njëjtë, barabartë dhe pa diskriminim. Ajo se ku kemi fituar e ku kemi humbur zgjedhjet nuk duhet të errësojë veprimin e drejtë dhe të duhur për t’i trajtuar dinjitetshëm të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Zgjedhjet lokale janë për qytetarët dhe jo për politikanët, prandaj politikat tona të kohezionit e konfrontimit, të bashkëpunimit e të kundërshtimit nuk duhet t’iu shërbejnë si instrument për të penguar zhvillimin e projekteve për të cilat janë përcaktuar qytetarët. Ftesa ime ndaj jush është ftesë e sinqertë t’i përmbahemi asaj çfarë është përgjegjësi e juaja si qeveri dhe si kryeministër dhe këto përgjegjësi sot janë më të mëdha sesa zakonisht…Kuptojeni këtë ftesë drejtë për t’u këndellur e për të mos u hutuar nga pushteti apo humbja e tij, sepse qytetari i Kosovës në këto zgjedhje ka folur qartë dhe ka dhënë mesazh që ky ritëm i juaji është i pamjaftueshëm”, tha ai.

Ai tha se është falënderues ndaj qytetarëve që kanë besuar dhe kanë zgjedhur projektet e Partisë Demokratike të Kosovës.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.