Krasniqi: Edhe ky variant e gjeti qeverinë në befasi, kemi rritje të rasteve për 36 mijë për qind

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka drejtuar sot kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti për menaxhimin e pandemisë me koronavirus, duke thënë se krahasuar me një muaj më parë aktualisht ka një rritje të rasteve të reja prej 36 mijë për qind.

Në seancën e sotme mbi situatën me pandeminë COVID-19, kreu i PDK-së u shpreh se edhe varianti i ri omicron e ka gjetur në befasi Qeverinë Kurti.

“Për një muaj patëm një rritje enorme me një shkallë prej 36 mijë për qind. Sa për sqarim, pikërisht para një muaj janë konfirmuar 6 rastet e para të variantit omicron që tani në Kosovë po del si variant dominues… Edhe ky variant qeverinë tonë e gjeti në befasi përkundër që e gjithë bota përgatitjet për t’u ballafaquar me të. Duke parë që ishte një variant shumë më agresiv sesa variantet e kaluara, kjo manifeston më së mirë trendin e gjendjes pandemike dhe nënkupton se vendi ynë tashmë është përfshirë në një valë të re të pandemisë të COVID-19.  Natyrisht që kjo është mjaft shqetësuese dhe shqetësimet e kësaj vale është me shumë dimensione, por më së pari është shqetësim sepse nuk po duket se është shqetësim për qeverinë”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se vendosja e masave dhe barazimi në mes të vaksinuarve dhe të pa vaksinuar po e dëmton procesin e vaksinimit. Ai shtoi se qeveria nuk po heziton të nxjerrë masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë, por nuk ka interes t’i zbatojë ato.


“Siç po shihet kjo qeveri ka bërë dy lloj gabimesh themelore në menaxhim të pandemisë ose ka hezituar për ta lexuar situatën duke injoruar atë ose e ka lexuar situatën gabimisht dhe kur hezitojnë që ta lexojnë nuk veprojnë në kohë e kur e lexojnë gabimisht  veprojnë në mënyrë kuturu jo me plan, por me impuls… Qeveria nuk ka hezituar të nxjerrë masa, por interes dhe aftësi për zbatimin e masave që ka nxjerrë vetë. Ajo ka vendosur kufizime mbi qytetarët dhe u ka lënë në dorë vetë qytetarëve t’i zbatojnë ato masa dhe kufizime dhe jo administratës shtetërore që e ka obligim ligjor për ta bërë një gjë të tillë. Unë nuk besoj që ka një vend normal në botë që ka bërë një gjë të tillë. Cila është logjika e vendosjes së kufizimeve që nuk zbatohen pikërisht nga qeveria? Cila është logjika e vendosjes së kufizimeve ndaj atyre që iu kanë nënshtruar të gjitha rekomandimeve shëndetësore dhe iu kanë plotësuar të gjitha standardet për të mos qenë subjekt i barabartë i këtyre kufizimeve? Barazimi në mes të vaksinuarve dhe të pa vaksinuarve është stimulim për të mos u vaksinuar dhe ky është dëmi më i madh”, u shpreh ai.

Vendimin për hyrjen në Kosovë me tri doza të vaksinë antiCOVID apo posedimin e dy dozave dhe një testi PCR, kryetari i PDK-së e ka konsideruar si një vendim skandaloz dhe jo krejtësisht të paqëllimshëm.

Ndërsa për ministrin e Shëndetësisë RIfat Latifi, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tha se Qeveria e ka lënë të hendikepuar pasi ia ka zvogëluar buxhetin.

“Së fundmi patëm një vendim skandaloz që nuk mund ta quash ndryshe vendosja e masave për të hyrë në Kosovë vetëm me tri doza të vaksinimit në kohën kur në Kosovë vetëm 4% e qytetarëve kanë marrë dozën e tretë e veçmas si masë ndaj bashkëkombësve tanë të brezit kufitar në Shqipëri, Maqedoni e Luginën e Preshevës që deri dje kanë qarkulluar dhe punuar krejt normalisht. Duke i penalizuar ata, kjo përbën një lloj absurditeti të cilin nuk mund ta themi se është krejtësisht i pa qëllimshëm. Kjo dëshmon se qeveria jonë masat ndaj COVID gjithmonë i ka ndërmarrë nga impulsi i improvizimit dhe jo me qëllim të menaxhimit efikas… Qeveria e ka lënë këtë ministër të hendikepuar më së pari duke ia shkurtuar  buxhetin e ministrisë për 48 %, pra kjo qeveri e këtij kryeministri flet për shëndetësinë dhe në kohën e pandemisë e ka shkurtuar buxhetin për 48%”, tha ai.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.