Krasniqi: Duam të fuqizojmë federatat dhe të investojmë në infrastrukturën sportive
Lexohet për: 5 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Një vit shumë të suksesshëm dhe me rezultate kulminante për Kosovën në sport e konsideron 2021-ën presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi. Dy medalje të arta në Tokio 2020 ishte padyshim momenti historik që shënoi sportin vitin e kaluar. Megjithatë, ky vit vjen me të tjera synime ku KOK është duke punuar për të forcuar federatat dhe të investojë në infrastrukturën sportive.

Edhe pse me shumë aktivitete të ngjeshura dhe sfida të njëpasnjëshme, Krasniqi thotë për KosovaPress se ky vit e vendosi Kosovën në qendër të botës me sukseset e arritura nga ekipi i xhudos.

“Më shumë se sa që Kosova arriti t’i fitojë dy medalje, edhe atë dy të arta në Tokio 2020 ku Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan vendin e parë. [...] Së fundi qershia mbi tortë ishte kur Driton Kuka u shpall edhe trajneri më i mirë në botë në Federatën e Xhudos edhe Distria Krasniqi u shpall sportistja më e mirë në botë në kategorinë e saj dhe kjo na ka bërë vërtetë të ndihemi krenar edhe neve si Komitete Olimpik edhe të gjithë Kosovën besoj”, tha Krasniqi.

Në të kaluarën ka ndodhur që atletët e Kosovës të marrin oferta për të prezantuar vendet e tjera, siç kishte ngjarë edhe me Majlinda Kelmendin. Presidenti i KOK-ut, Krasniqi, thotë se mbetet të angazhohen maksimalisht që të mos ketë raste të tilla.

“Është e vërtetë se shtetet e tjera japin pagesa të majme për garues dhe për ndonjë garë të rëndësishme siç janë Lojërat Olimpike dhe normal që mund t’i blejnë edhe sportistët tanë. Fati ynë është që vullneti i madh si shtet i ri dhe patriotizmi i tyre edhe i familjarëve të tyre i shtynë që t’i lënë të gjitha ato të mira që ju ofrohen nga shtetet e tjera dhe të përfaqësojnë Kosovën. Sa mund ta shtyjmë këtë nuk e di por neve na duhet të punojmë në këtë aspekt dhe t’i favorizojmë, t’iu japim edhe më shumë vullnet dhe motiv që ta vërtetë ta ndiejnë vetën mirë dhe të kënaqen me atë çfarë po bëjnë për shtetin e vet”, tha Krasniqi.

Sa i përket këtij viti, Krasniqi thotë se si KOK kanë në plan shumë aktivitete sportive duke përfshirë edhe Lojërat Olimpike Dimërore, derisa shtoi se janë duke punuar edhe përmes organizatave evropiane të investojnë në rregullimin e infrastrukturës sportive në vend.

“Menjëherë në fillim, në tremuajshin e parë të vitit 2022 na presin dy lojëra shumë të rëndësishme dimërore siç është Pekini 2022 dhe Vukati 2022, mandej kemi edhe aktivitete të ndryshme të tjera, mirëpo ne fokus e kemi ta punojmë një strategji që të kemi mundësi të investimeve në Kosovë. Jemi duke punuar si Komitet Olimpik që të fitojmë projekte të ndryshme në bashkësinë evropiane, Parlamentin Evropian, ku kam qenë edhe vetë atje në takim dhe kemi marrë premtime shumë të mira që në 2022 të fitojmë një projekt të cilin e kemi kërkuar, një projekt shumë të madh. [...] Qëllimi ynë është sa më shumë të ta rrisim Komitetin Olimpik në mënyrë që t’i forcojmë edhe federatat e Kosovës.”, shtoi më tutje Krasniqi.

Presidenti i KOK-ut shprehet i kënaqur me punën e federatave sportive në vend por thekson se një numër i madh i tyre janë në kushte të vështira dhe pa mundësi që t’i ushtrojnë aktivitetet e tyre.

“Kemi federata të cilat kanë aktivitete të shumta mirëpo edhe kemi federata të cilat i kanë të pamundshme aktivitetet meqenëse infrastrukturën e kanë shumë të dobët apo nuk kanë fare. Siç kemi disa sporte të reja që janë, e përmendëm golfin, fushë të madhe të golfit nuk kemi, mandej e kemi Federatën e Padeljit që tani është hapur, nuk kanë vend, ata janë të interesuar të investojnë mirëpo që me një angazhim edhe të Komitetit Olimpik shumë shpejtë do t’ia bëjmë një zgjidhje të gjejmë vend ku ata të ndërtojnë një fushë për padelj, një sport shumë atraktiv e kështu me radhë. Në përgjithësi jam i kënaqur, po punohet shumë, vet rezultatet tregojnë sa po punohet”, tha në fund i pari i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Krasniqi shprehu gatishmëri për mbështetje të vazhdueshme dhe gjithnjë e më të madhe në mënyrë që sporti vendor të ketë suksese sa më të mëdha në arenën ndërkombëtare.

https://kosovapress.com/admin/nga-lotet-e-medaljeve-te-lotet-per-majlinden-xhudo-eshte-krenaria-e-kosoves/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024