Krasniqi: Dita e Çlirimit na kujton çmimin e lirisë dhe obligimin për ta çmuar e ruajtur atë

Krasniqi: Dita e Çlirimit na kujton çmimin e lirisë dhe obligimin për ta çmuar e ruajtur atë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se sot Kosova po shënon Ditën e Çlirimit, pasi  23 vjet më parë, iu dha fund përgjithmonë robërisë e vuajtjeve shekullore të popullit tonë.


Krasniqi ka shkruar në Facebook se 23 vjet më parë, për Kosovën nisi një kohë e re, e lirisë, që i hapi rrugë ndërtimit e zhvillimit të vendit.

“Kështu, rindërtuam shtëpitë e djegura, shkollat e reja, rrugët e autostradat, por edhe administratën, policinë e ushtrinë. Jetësuam bashkë ëndrrën e shumë brezave për shtet e pavarësi. Për Kosovën e lirë e me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Në këtë rrugëtim, u jemi falënderues përjetësisht miqve që na dolën krah, NATO-s e SHBA-ve dhe shteteve të tjera demokratike.Por, posaçërisht sot, përkulemi para sakrificës së shumë brezave të dëshmorëve, martirëve, të burgosurve, veprimtarëve e intelektualëve shqiptarë, që u angazhuan ditë e natë për këtë ditë. Nderojmë me respektin e përjetshëm luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heronjve tanë, që Kosovën e kishin më të shtrenjtën. Sot, këtë ditë të bekuar, ua urojmë edhe themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe çlirimtarëve të tjerë, të cilët padrejtësisht sot nuk janë pranë nesh. Këto sakrifica shekullore, që po vazhdojnë edhe sot, na rikujtojnë vazhdimisht çmimin e lartë të lirisë dhe obligimin që kemi për ta çmuar e për ta ruajtur atë”, ka shkruar ai.

Lexo edhe

Video