Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka mbajtur Kuvendin e Rregullt të shtatë të Punës ku u prezantuan aktivitetet, të arriturat dhe raporti financiar i DHTIK për vitin 2022, me ç’rast u miratuan edhe Plani i Punës dhe Buxheti për vitin 2023.
Kryetari i Bordit të DHTIK, Skënder Krasniqi, falënderoi bizneset për praninë e tyre duke i njoftuar se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, falë bashkëpunimit të ndërsjelltë me bizneset ka arritur që të jetë Dhoma më kredibile dhe zëri më i fuqishëm i përfaqësimit të interesave të tyre.
Njëkohësisht Krasniqi, listojë edhe disa nga ligjet në të cilat DHTIK ka dhënë dhe vazhdon të jap kontribut si dhe prioritet e Dhomës së Tregtisë për lehtësimin e punës së bizneseve në vend.
Kryetari i Kuvendit të Punës dhe njëkohësisht Arkatari i DHTIK Hamdi Malushaj, theksoi se si përfaqësues të bizneseve duhet të invstojmë sa më tepër në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim që në këtë formë të delegojmë dhe zgjidhim të gjitha problemet tona biznesore përmes presionit të vazhdueshëm tek institucionet e vendit, në mesin e të cilave përmendi me theks të veçantë Ligjin e Punës dhe Ligjin për Festat Zyrtare.
Sekretari i DHTIK, Shyqiri Bytyqi përgjatë prezantimit të paqyrave financiare dhe planifikimit të buxhetit për vitin 2023, ka thënë se vetëm duke fuqizuar Dhomën e Tregtisë dhe duke qenë konsistent në kërkesat tona mund të ndërtojmë një ambient më cilësor për të bërit biznes në vend.
“Në këtë Kuvend të Rregullt të Punës të gjithë përfaqësuesit e bizneseve prezente patën mundësinë të marrin pjesë në diskutimin e hapur të zhvilluar lidhur me problematikat aktuale të bizneseve në vend dhe disa prej tyre treguan para të pranishmëve çështjet individuale të zgjidhura nga Dhoma e Tregtisë”, thuhet në njoftimin e DhTIK.