Krahas shtesave për gazetarë, kërkohet mbështetje edhe për mediat

Krahas shtesave për gazetarë, kërkohet mbështetje edhe për mediat

Kriza ekonomike që po shkakton pandemia Covid 19 ka prekur edhe mediat në Kosovë. Rreziku i falimentimit të mediave dhe humbjeve të vendeve të punës për gazetarët kanë bërë që të kërkohet nga qeveria Kurti t’i përfshijë edhe kërkesat e tyre në pakon e ndihmave shtetërore.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate për media ka kërkuar masa urgjente për t’i dal në ndihmë financiare gazetarëve dhe mediave. Derisa kryetarja, Gentiana Begolli-Pustina për KosovaPres u shpreh se sot do të takohet me përfaqësues të qeverisë për këtë çështje.

“Qeveria në detyrë të marrë masa urgjente për të lehtësuar punën e kolegëve tanë në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë dhe mendojmë se këto masa mund të shkojnë në dy drejtime. Të alokohen fonde për çdo gazetar, kameraman, fotoreporter dhe punonjës tjetër medial në vlerë të pagës minimale, dhe mediat apo kompanitë mediatike të lirohen nga pagesa e kontributeve në dy muajt e ardhshëm. Kërkojmë që parakushti kryesor për përdorimin e përfitimeve të jetë moslargimi i gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medial nga puna, përderisa zgjasin këto masa”, thuhet në komunikatën e tyre

Ndërsa, drejtori i institutit të Mediave në Kosovë, Fazli Veliu thotë për KosovaPress se primare përveç shtesave për  gazetarët duhet të jetë edhe ndihma për mediumet.

“Koronavirusi ka bërë që mediat të zhyten thellësisht të madhe. Pritet të ketë shkurtime të vendeve të punës. Faktikisht pritet të dalin nga puna shumë punëtorë dhe ka gjasa të mbyllen shumë media. Sidomos ato lokale…ne po kërkojmë që përveç që duhet të ndihmohen gazetarët, duhet të ndihmohen edhe mediumet, të mbahen gjallë radiot dhe televizionet. Për shkak se ato kanë shpenzime”, thotë ai.


E, kryetari i  Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, Mërgim Lushtaku thotë se një stimulim prej 300 euro është mbulesë e mirë për gazetarët.

“Sa pash është diku 170 euro për  gazetarë ndërsa edhe në aspektin e PDK-së që unë e përfaqësoj edhe si kryetar i komisionit besoj që kjo shumë është e vogël. Pasi ne kemi propozuar një stimulim prej 300 euro për çdo sektor privat. Që përfshin edhe sektorin e mediave, sepse mediat janë sektor privat. Këtë drejtim besoj se është mirë që të shikohet edhe rekomandimi i PDK-së. Besoj që është një mbulesë më e mirë për gazetarët që po rrezikojnë edhe jetën e tyre për t’u infektuar me këtë  virus”, thotë Lushtaku.

Për Lushtakun primare është që fillimisht të ndihmohen gazetarët, pastaj edhe mediat në tërësi si biznese.

“Aspekti primar është që mbështeten gazetarët  në rend të parë. Pastaj të shikohet mundësia e mbështetjes së bizneseve siç janë edhe mediat”, thotë ai.

Pandemia Covid-19 përveç krizës shëndetësore ka prodhuar edhe krizë ekonomike në të cilën janë përfshirë gjithë sektorët privat.

Lexo edhe

error: