KQZ vendos për rinumërim të 8 vendvotimeve për kryetar dhe 35 për Kuvende Komunale

Mospërputhja e të dhënave në formularët e rezultateve, ngatërrimi i kategorive të fletëvotimeve si dhe mospërputhja e votave të subjekteve me votat e kandidatëve, ka bërë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vendos që të rinumërohen 8 vendvotime për kryetar dhe 35 vendvotime për Kuvende Komunale.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se të njëjtat vendvotime nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta për shkak të parregullsive.

“Një numër i vendvotimeve nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta përshkak të mospërputhjeve të të dhënave me formularët e rezultateve. Në shumicën e rasteve të formularëve të rezultateve, pra nuk përputhen të dhënat dhe shifrat me formularët e rezultateve. Të dhënat që janë shënuar në formularët e rezultateve nuk kanë ndonjë kuptim dhe mospërputhja edhe pas hetimit që e kemi bërë është e pashpjegueshme. Nga lista e vendvotimeve që kanë mospërputhje në shumicën e rasteve janë formularët e rezultateve për Kuvendin Komunal dhe një numër i formularëve për kryetar të komune. Përpos ngatërrimit të rubrikave në disa raste, në listë kemi mospërputhje edhe të votave të subjekteve dhe kandidatëve”, tha ai.  

Ahmetaj tha se kanë bërë të gjitha hetimet, por që nuk kanë arritur të kuptojnë se si kanë ardhur tek shifrat që janë paraqitur në formularët e rezultateve.

“Në të gjitha rastet ka qenë shumë e pashpjegueshme edhe për ne se kah ju kanë ardhur këto shifra të cilat janë të shënuara në të gjithë formularët e rezultateve. Do të thotë i kemi bërë të gjitha hetimet dhe shumica e rasteve ndërlidhen me ngatërrim rubrikash apo të dhëna të cilat faktikisht nuk përputhen as me të dhënat e kandidatëve. Një rast është sikur ky që është pak më ndryshe prej të gjitha rasteve të tjera që kanë një numër shumë të madh ku i kemi numëruar të gjitha votat e alokuara për secilin kandidat dhe nuk korrespondojnë me vota për subjekte, votat për subjekte janë dukshëm më të vogla sesa totali i të gjitha votave për kandidatë. Shifrat nuk tregojnë që është gjendja e përshkruar reale”, deklaroi ai.


Procesi i rinumërimit të këtyre vendvotimeve do të bëhet sot me fillim nga ora 17:00 në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR).

Në këtë mbledhje, anëtari i KQZ-së nga PDK, Arianit Elshani, kërkoi të di se kur do të përfundojë raporti i hetimit të 10 përqindëshit që kanë kërkuar nga QNR.

“Kërkesën tonë për hetimin e 10 përqindëshit se si ka ecur deri tash, kur mund të kemi një raport të detajuar të këtij krahasimi të pikave me formularët e rezultateve të kandidatëve. Gjatë gjithë kësaj kohe që një javë kandidatët për asamble komunale dhe kandidatët për kryetar të komunave janë të interesuar të dinë saktë se çka ka ndodhur ne vendvotime, a mund të ketë pasur keqpërdorim dhe manipulim të votave apo ka shkuar gjithçka ashtu siç është kërkuar nga KQZ“, tha ai.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se i njëjti raport do të përfundojë nesër dhe do të prezantohet para KQZ-së.

“Besojmë shumë që nesër do ta kemi raportin me të gjitha të gjeturat dhe ky verifikim nuk e pengon fare punën e publikimit të rezultateve për kryetar komunë, do të thotë janë dy procese të ndara njëra me tjetrën dhe jemi duke bërë përpjekje që këtë raport ta finalizojmë nesër dhe ta kemi të prezantuar para KQZ-së”, tha ai.

Në këtë mbledhje, KQZ ka shqyrtuar edhe mundësinë për vazhdimin e ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së pa praninë e mediave.

Lexo edhe

Video

error: