KQZ vendos nesër për rinumërim të mundshëm të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të enjten do të marrë vendimin nëse do të ketë rinumërim të votave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, tha sot se nesër do të shqyrtojnë raportin e QNR-së, pas përfundimit të procesit të hetimit dhe verifikimit të vendvotimeve, të cilat kanë mundur të procedohen si të rregullta, pasi është vërejtur ndonjë parregullsi.

“Të enjten, KQZ-ja do të mbajë mbledhjen e radhës për të shqyrtuar raportin e QNR-së, pas përfundimit të procesit të hetimit dhe verifikimit të atyre vendvotimeve, të cilat nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta, pasi është vërejtur ndonjë parregullsi e çfarëdo natyre. Pas rekomandimit nga QNR, KQZ-ja do të vendosë nëse është i nevojshëm të bëhet rinumërimi i ndonjë vendvotimi, me qëllim të saktësimit të gjendjes brenda një kutie votimi”, tha Elezi.


Ai tha se të martën kanë filluar me publikimin e formularëve të rezultateve, të cilët janë plotësuar në vendvotime më 17 tetor.

“Si procedurë, këta formularë, skanohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe pastaj ngarkohen në ueb faqen e KQZ-së. Formularët e publikuar janë kopje e formularëve të plotësuar në vendvotime dhe çdo kandidat i interesuar mund t’i shfletojë për ta parë rezultatin që ka arritur në çdo vendvotim. Ky publikim është në proces e sipër dhe duhet ta sqarojmë se kjo nuk është një shpallje e rezultateve përfundimtare, por bëhet me qëllim të rritjes së transparencës në procesin zgjedhor dhe për t’i ndihmuar kandidatët që të shohin formularët përmes telefonit të tyre”, tha Elezi.

Elezi ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u bërë edhe skanimi i listës përfundimtare të votuesve, ndërkohë që KQZ-ja është në pritje të vendimmarrjes nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me ankesat në këtë institucion, afat i cili përfundon të enjten.

Lexo edhe

Video

error: