KQZ për 15 partitë politike në Kuvend ndan 4.2 milionë euro

KQZ për 15 partitë politike në Kuvend ndan 4.2 milionë euro

Komisioni Qendror i Zgjedhje ka miratuar vendimin për ndarjen e fondit për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2023, ku për 15 partitë politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, janë ndarë 4 milionë e 200 mijë euro.

Po në këtë mbledhje të KQZ-së, u diskutua edhe për përgatitjet për zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës dhe rekrutimin e zyrtarëve komunal të dorëhequr në këto komuna.

Bazuar në të dhënat, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka numrin më të madh të deputetëve nga ky fond përfiton më shumë se 2 milionë euro. Pastaj,  PDK-ja me 665 mijë euro, LDK-ja me 525 mijë euro dhe AAK-ja me 280 mijë euro. E nga subjektet të komuniteteve joshumicë më së shumti përfitoi Lista Serbe, në vlerë prej 315 mijë euro.

Besnik Buzhala nga zyra për regjistrim dhe certifikim e kontroll financiar të subjekteve politike në KQZ, tha se shuma që do të ofrohet këtë vit për 15 subjektet politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, është 4 milionë e 200 mijë euro.

“Rekomandimin për ndarjen e fondit mbështetës Sipas kësaj tabele shuma që do të ofrohet për këtë vit për 15 subjektet politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, është 4 milionë e 200 mijë euro”, tha ai.

Anëtari i KQZ-së nga PDK, Ilir Gashi tha se asnjë cent nuk mund t’i shkoj një subjekti politik apo kandidati, nëse ajo nuk është e përcaktuar me ligjet në fuqi apo me ndonjë vendim të gjykatave.


“ Vendimmarrja juaj duhet të jetë e bazuar vetëm në ligj, asnjë udhëzues apo praktikë e mirë nuk mund të merret për t’i ndarë parat subjekteve politike por duhet ligji çka thotë, ligji dhe vendimet gjyqësore, qofshin vendime të gjykatave të rregullta apo qofshin vendime të Gjykatës Kushtetuese, vendime të gjykatave bëhen normë karshi një ligji të caktuar dhe duhet me u respektuar…Asnjë cent nuk mund t’i shkoj një subjekti politik apo kandidati poçëse ajo nuk është e përcaktuar me ligjet në fuqi apo me ndonjë vendim të gjykatave”, tha ai.

Sami Hamiti nga LDK, tha se vendimi është i bazuar dhe si i tillë duhet të votohet.

“Vendimi tash është i bazuar pa marrë parasysh tek subjekti i radhës që ka hyrë edhe ajo është e përcaktuar me ligj që çdo subjekt politik që merr pjesë në Kuvend me i nda financat. Konsideroj se është në rregull”, tha ai.

E po në këtë mbledhje, Ibrahim Selmanaj, anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, pyeti se a kanë paraparë hapjen e një konkursi për zyrtarët komunal në katër komunat veriore, ku kanë dhënë dorëheqje këta zyrtarë.

“Plani i cili është i paraparë për zgjedhjet në veriun e Kosovës, a keni paraparë edhe një konkurs të shpejt sepse zyrtarët komunal i kemi të dorëhequr dhe mendoj se duhet me pas pak efikasitet në këtë drejtim se vetë fakti që duhet me u mbajt zgjedhjet, edhe duhet me pas persona që kanë me qenë përgjegjës për këtë fushë. A keni në plan, a mundemi me krye apo jo”, tha ai.

E kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se janë në përgatitje të planit të rekrutimit, ku prioritet do t’u jepet zgjedhjes së katër zyrtarëve komunal.

“Sekretariati është në përgatitje të planit të rekrutimit, ku do të jenë edhe pozitat për katër zyrtarë dhe do t’u japim prioritet sepse zgjedhjet do të organizohen më 23 prill…Në kuadër të përgatitjeve janë disa rrafshe që sekretariati është fokusuar për organizmin e zgjedhjeve. Ajo çka është me rëndësi është hartimi i një plani operacional, e dyta është edhe zhvillimi i të gjitha procedurave për përgatitjen e zgjedhjeve, qoftë për furnizime apo shërbime”, deklaroi Ahmetaj.

Lexo edhe

Video