KQZ nuk certifikon rezultatet përfundimtare për katër komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet  përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, por në këtë certifikim nuk janë përfshirë komuna e Shtimes, Ferizajt, Podujevës e Kllokotit për shkak të ankesave.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha se gjatë ditës së sotme kanë komunikuar me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatën Supreme të cilat kanë kërkuar që rezultatet e katër komunave të mos certifikohen për shkak se ka ankesa në procedurë.

“Sot është përmbyllur afati i ankesave  lidhur me  rezultatet përfundimtare që një ditë më herët janë shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gjatë dita e sotme kemi komunikuar e dy institucionet Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatën Supreme. Nga këto institucione kemi marr konfirmimin se rezultati i të cilave komunave nuk mund të certifikohen pasi ka ankesa dhe shqyrtimi i tyre nuk ka përfunduar ende. Prandaj, ne sot kemi në rend të ditës certifikimin e  rezultateve përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale për 35 komunave, pra pjesë e certifikimit të sotëm nuk janë rezultatet e raundit të parë për zgjedhje lokale të komunës së Shtimes, Ferizajt, Podujevës dhe Kllokotit ndërsa për komunat tjera janë“, tha ai.

Në këtë mbledhje të KQZ-së, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj kërkoi që 91 vendvotime të rinumërohen si  rezultat i krahasimit dhe mos shënimit të saktë të votave duke i  krahasuar  formularët e rezultatet të kandidatëve me fletët llogaritëse të kandidatëve.

“QNR ka bërë verifikim dhe  kontrollin e të gjitha të dhënave që janë shënuar në fletat llogaritëse të kandidatëve përkundër atyre që janë shënuar në formularët e rezultateve, nga ky verifikim rezulton se nga 225 vendvotime rezultatet janë shënuar saktë në formularët e rezultateve të kandidatëve në 63/53%, që nënkupton prej 225 vendvotimeve ,  në 162 janë vendvotime janë shënuar saktë rezultatet si në fletën llogaritëse po ashtu edhe në  formularët për rezultate të kandidatëve. PREJ 225 vendvotime në 2 vendvotime kanë qenë rinumëruar paraprakisht me vendim të KQZ-së. Prej 255 në 76 vendvotime është gjetur se ka gabim Teknik në fletëvotime nga fleta llogaritëse  në formularët e rezultateve të kandidatëve…Pra me gabime Teknik janë 76 vendvotime që kanë bërë gabim Teknik në bartje. Kategoritë tjera është gjetur edhe mospërputhje e votave në mes të fletave llogaritëse të kandidatëve dhe formularëve të rezultateve të kandidatëve ku nga 255 vendvotime që janë verifikuar dhe hetuar në përqindje janë 14  vendvotime që kanë këtë mospërputhje në përqindje 5.49%….Në më shumë se 90% rezulton se kandidatët kanë 1 votë në fletën llogaritëse të kandidatëve, ndërsa në formularët e kandidatëve kanë zero vota ose e kundërta  në fletën llogaritëse kanë zero vota, ndërsa në formularë të kandidatëve ka vota. Lidhur me këtë rekomandohet KQZ  që të rinumërohen fletëvotimet  vetëm për atë subjekt dhe rezultatet pas rinumërimit të përfshihen në rezultatet përfundimtare”, tha ai.

Anëtari i KQZ-së nga PDK, Arianit Elshani kërkoi rinumërim të plotë për të gjitha kutive të votimit që hapen pavarësisht subjekteve politike.

“Rekomandoj që si KQZ për të gjitha ato kuti votimi që ne i hapim të bëhet një rinumërim i plotë  pavarësisht se subjektet tjera nuk janë shumë bëhet fjalë pra për 75 vendvotime pra të cilat duhet të rinumërohen do ishte më mirë të bëhet një rinumërim i plotë i votave për kandidatët për Kuvend Komunal të atyre kutive”, tha ai.

Ndërsa, Florian Dushi nga LDK kërkoi nga KQZ që t’i identifikojë të gjitha këto Këshilla të vendvotimeve që kanë pasur këso telashe dhe t’i përjashtojë ato në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

“Të rinumërohen të gjitha këto vendvotime në të cilat për arsye të ndryshme do thotë ka mospërputhje, lëshime gabime teknike,  nëse e shohim në një proces zgjedhor unë po e shoh që  përveç tendencave për të manipuluar këtu kemi edhe njëfarë niveli të papërgjegjësisë së këtyre trupave sepse vërejmë për shembull nëse e marrim vetëm Prishtinën I kemi 20 vendvotime ku disa subjekte politike apo kandidatëve të subjekteve politike nuk I janë përshkruar asnjë votë e vetme thjesht kanë heq dorë mjaftë me numërua kemi numëruar dhe nuk po numërojmë asgjë. Në raundin e dytë të zgjedhjeve propozoj që si KQZ të evidentohen të gjitha Këshillat në të gjitha këto vendvotime ku kemi probleme he të përjashtohen të mos lejohen të njëjtin në raundin e parë“, tha ai.

Me këtë u pajtua edhe Sami Kurteshi anëtari I KQZ-së nga  Lëvizja Vetëvendosje.

“Pajtohem plotësisht që çdo Këshill i vendvotimit që ka pasur problem që është identifikuar me problem të evidentohen nga KQZ dhe nëse partitë politike i delegojnë mos me i pranua ne si KQZ e kemi atë drejtë me e ngrit dorën për dhe kundër  për aq sa është e mundur njerëzisht të mos lejojmë njerëz që janë të papërgjegjshëm”, theksoi ai.  

Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga AAK-ja, Ibrahim Selmanaj kërkoi edhe me këtë çështje të merren edhe organet e drejtësisë.

“Duke qenë se interesohet e  gjithë shoqëria që të ketë zgjedhje të suksesshme dhe efektive KQZ ka edhe një marrëveshje bashkë  edhe me institucionet t tjera dhe organizma tjerë që janë prokuroria, policia, drejtësia arsimi duhet të jenë efikas në këtë drejtim edhe prokurorët dhe nëse ne dalim me një rezultat dhe kemi një pasqyrë reale dhe vetë institucionet e mekanizmat e shtetit drejtësi në këtë rast duhet t të dal me një konkluzion të qartë për shkelësit që kanë ndodhur në procesin zgjedhor qoftë ata komisionerë të  një subjekti politik të caktuar apo edhe tjerë persona përgjegjës që janë në kuadër të zgjedhjeve, shumë është me rëndësi rinumërim”, u shpreh ai.

Komunat që janë zgjedhur kryetar në raundin e parë të zgjedhjeve lokale janë:

Në Komunën e Deçanit ka fituar Bashkim Ramosaj i AAK-së me 9843 vota ose 64.90 për qind.

Në Mitrovicën e Jugut ka fituar Bedri Hamza i PDK-së me 16566 vota ose 53.69 për qind.

Në Leposaviq ka fituar Zoran Todiq nga Lista Serbe me 9065 vota ose 97.85 për qind.

Lipjanin e ka fituar Imri Ahmeti i LDK-së me 15541 vota ose 56.42 për qind.

Novobërda është fituar nga Sasa Milosheviq nga Lista Serbe me 3548 vota ose 63.19 për qind.

Peja është fituar nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së me 23.426 vota ose 60.49 për qind.

Në Komunën e Shtërpcës ka fituar Dalibor Jevtiq nga Lista Serbe me 4148 vota ose 59.70 për qind.

Në Suharekë Bali Muharremaj i AAK-së ka marrë 14.483 ose 51.30 për qind, duke e fituar këtë komunë.

Në Skenderaj ka fituar Fadil Nuraj i PDK-së me 13.123 vota ose 57.89 për qind.

Zubin Potokun e ka fituar Srdjan Vuloviq nga Lista Serbe me 3225 vota ose 83.53 për qind.

Zveçani është fituar nga Dragisha Miloviq nga Lista Serbe me 5394 vota ose 98.43 për qind.


Graçanica është fituar nga Liljana Subariq nga Lista Serbe me 6506 vota ose 77.93 për qind.

Ranillugu është fituar nga Katarina Ristiq nga Lista Serbe me 2427 vota ose 100 për qind.

Parteshi është fituar nga Dragan Petkoviq nga Lista Serbe me 1684 vota ose 73.35 për qind të vota.

Mitrovica e Veriut është fituar nga Milan Radojeviq nga Lista Serbe me 10833 vota ose 91.12 për qind.

Ndërsa, komunat që shkojnë në balotazh janë:

Në Komunën e Drenasit do të ketë balotazh mes Ramiz Lladrovcit të PDK-së me 45.50 për qind të votave dhe Driton Ajazit nga Demokratët për Drenasin me 30.50 për qind të votave.

Gjilani do të ketë balotazh ndërmjet Lutfi Hazirit nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave, dhe Alban Hysenit nga LVV-ja që mori 44.71 për qind të votave.

Komuna e Gjakovës do të ketë balotazh ndërmjet Ardian Gjinit të AAK-së me 45.76 për qind të votave dhe Mimoza Kusari-Lilës së LVV-së me 37.20 për qind të votave.

Komuna e Kaçanikut do të ketë balotazh mes Besim Ilazit nga PDK-ja me 44.67 për qind të votave dhe Jeton Rakës nga LVV-ja me 33.36 për qind të votave.

Dragashi në balotazh do ta ketë Bexhet Xheladinin nga LDK-ja që mori 35.69 për qind të votave dhe Shaban Shabanin nga PDK-ja që mblodhi 32.56 për qind tëvotave.

Burim Berisha i LDK-së me 49.72 për qind të votavedhe Enver Bajçinca nga LVV-ja me 25.58 për qind të votave, do të jenë në balotazh për Fushë Kosovën.

Në Istog në balotazh do të jenë Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave të fituara dhe Bekë Berisha nga AAK-ja me 24.49 për qind të votave.

Balotazhi në komunën e Obiliqit zhvillohet ndërmjet Xhafer Gashit nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin me 48.12 për qind të votave dhe Halil Thaçit të LVV-së me 20.19 për qind të votave.

Në komunën e Klinës në balotazh shkojnë Zenun Elezaj nga AAK-ja me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci nga PDK-ja me 27.42 për qind të votave.

Në Kamenicë në balotazh shkojnë Qëndron Kastrati nga PSD-ja me 32.52 për qind të votave dhe Kadri Rahimaj nga LVV-ja me 31.01 për qind të votave.

Në balotazh në Rahovec do të jenë Smajl Latifi i AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenica i LVV-së me 24.84 për qind të votave.

Komuna e Podujevës shkon në balotazh ndërmjet Ekrem Hysenit të LDK-së me 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të LVV-së me 44.16 për qind të votave.

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, shkon në garën e balotazhit ndërmjet Arben Vitisë së LVV-së me 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës së LDK-së me 29.17 për qind të votave.

Në Viti në balotazh shkojnë Sokol Haliti i LDK-së me 41.30 për qind të votave dhe Arsim Ademi i LVV-së me 34.50 për qind të votave.

Në Prizren në balotazh takohen Mytaher Haskuka i LVV-së me 40.41 për qind të votave dhe Shaqir Totaj nga PDK-ja me 31.36 për qind të votave.

Komuna e Junikut shkon në balotazh mes Agron Kuçit nga AAK-ja me 45.19 për qind të votave dhe Ruzhdi Shehut të LDK-së me 42.01 për qind të votave.

Komuna e Malishevës shkon në balotazh mes Ekrem Kastratit nga Nisma Socialdemokrate me 34.08 për qind të votave dhe Isni Kilajt të PDK-së me 28.82 për qind të votave.

Në Vushtrri në balotazh kanë shkuar Ferit Idrizi i PDK-së me 10 247 vota ose 34.81 për qind, dhe Xhafer Tahiri i LDK-së me 9 956 vota ose 33.82 për qind.

Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i VV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.23 për qind të votave.

Kllokoti shkon në balotazh mes Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind të votave dhe Strahinja Spasiq nga Gi Srpska Narodna Sloga me 36.33 për qind të votave.

Komuna e Mamushës shkon në balotazh me Abdulhadi Krasniqi nga Kosova Demokratik Turk Partisi me 48.92 për qind të votave dhe Arif Butuqi nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95 për qind të votave./B.Ibishi/

Lexo edhe

Video